“Ndihmë se po digjemi”, rrëfimi i Ali Ahmetit për bisedën me Muhamet Krasniqin e rastit Kumanova

E publikuar: 15/12/2021 12:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një prej figurave kyçe të politikës në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, në vitin 2015 në një intervistë për televizionin Alsat-M kishte dhënë detaje për diskutimin që kishte pasur me një prej pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës. Bëhet fjalë për Muhamet Krasniqin.

Siç kishte treguar atë kohë Ahmeti, Muhamet Krasniqi i njohur ndryshe edhe si Komandant Malisheva e kishte telefonuar dhe i kishte kërkuar ndihmë.

“Më ka thënë ndihmë se po digjemi”, kishte cituar fjalët e Krasniqit Ali Ahmeti.

Sipas Ahmetit, Krasniqi i kishte thënë se kishin mbetur brenda 5 apo 4 persona.

Ai tha katër janë të vrarë dhe një është vetëvrarë ndërsa vet është i plagosur”, kishte rrëfyer Ali Ahmeti.

Ahmeti kishte rrëfyer se ishte njoftuar në orën pesë të mëngjesit se kishte të shtëna. Ndërkohë tregon se në orën dhjetë kishte marrë një telefonatë nga dikush që i kishte kërkuar ndihmë.

“Kryetar ju lutem ndihmona”, citonte Ahmeti fjalët e personit që e kishte telefonuar.

“Unë mendoja se është dikush jashtë zonës ku ndodheshin përleshjet”, kishte vazhduar tutje Ahmeti.

“I thashë: Ku je? Unë jam brenda në luftime. Ahmeti: Më është dridhur tërë trupi. Por çka të ndihmoj unë? Personi i armatosur: Hapna rrugë që të ikim këtu se kemi gabuar dhe kurrë më se bëjmë këtë gabim. I kam thënë po çfarë rruge doniAi më ka thënë: O Ali Ahmeti çu në kamë hapna rrugën. Ai thotë se as nuk e ka pyetur kush është e as nuk është prezantuar”, kishte rrëfyer Ahmeti në vitin 2015.

Pas kësaj Ahmeti kishte treguar se e kishte telefonuar ambasadën e SHBA-ve dhe ata të BE-së. Ahmeti në këtë rrëfim kishte treguar se e kishte angazhuar Abdylaqim Ademin dhe Artan Grubin që të dërgojnë porosinë në Qeveri që të pranojnë propozimin që personat të dorëzohen në dorë të OSBE-së në mënyrë që mos të vriten njerëzit.

“Pas dy orësh më ka thirr kryeministri Nikolla Gurevski të cilit i kam thënë se mund të bëhet kjo punë. I kam thënë se propozimet mund të bëhen sepse nuk është mirë as për shtetin”, kishte rrëfyer Ali Ahmeti.

Ai po ashtu kishte rrëfyer për momentin e dorëzimit dhe kur kishte marrë vesh se janë dorëzuar vetëm 22 persona ndërsa e ka ditur se brenda janë 30, ishte shqetësuar.