Ndërpritet votimi në Vajnikë të Skenderajt

E publikuar: 11/06/2017 16:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Është ndërprerë për gjysmë ore procesi zgjedhor në Vajnikë të Skenderajt, pas ankëesës për manipulim votash nga komisionarë të Vetëvendosjes.

Katër komisionarët e Vetëvendosjes në qendrën e votimit 2110B në Vajnikë të Skenderaj janë larguar nga aty, pasi janë ankuar se nuk po mund ta parandalojnë atë që e kanë quajtur vjedhje të votave.

Procesi në këtë qendër është ndërprerë për gjysmë ore, ndërsa ka nisur përsëri pa komisionarët e larguar.

Halil Thaçi, menaxheri i qendrës ka thënë për KALLXO.com se komisionarët e larguar para se ta bëjnë këtë nuk e kanë informuar për ndonjë parregullsi.

“Gjithçka ka shkuar në rregull dhe katër komisionarët asnjëherë nuk më kanë lajmëruar mua se po ka tendencë për manipulime votash”, tha Thaçi.

Zgjedhjet e parakohshme që po zhvillohen sot, u caktuan pasi Kuvendi i Kosovës me një mocion mosbesimi rrëzoi qeverinë më 10 maj.

Të drejtë vote në zgjedhjet e 11 qershorit kanë 1 milion e 872 mijë e 941 votues në 889 qendra votimi.

Votues që kanë të drejtë vote për herë të parë janë 118 mijë e 448 persona, ndërsa nga listat janë larguar 33 mijë e 542 persona të vdekur.

Zgjedhjet do të monitorohen nga 30 mijë vëzhgues, 100 nga ta të BE-së.