Nagavci përmend vlerësimin e mësimdhënësve kur flet për rritje pagash

E publikuar: 22/08/2022 17:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, thotë se duhet të ketë paga dhe kushte të dinjitetshme për mësimëdhënsit në Kosovës. Veçse kjo, sipas saj, ka kuptim me vlerësimin e performancës së mësimdhënësve.

Ministrja Nagavci ka përmbledhur disa prej cështjeve rreth arsimit, para fillimit të vitit shkollor. Ndër të tjera, ajo thotë se duhen paga dhe kushte të dinjitetshme për mësimdhënësit.

“Pagë dhe kushte të dinjitetshme për mësimdhënësit tanë. Ky premtim do të jetësohet me Ligjin e ri për paga. Mësimdhënësit tanë të të gjitha niveleve pa përjashtim, janë trajtuar me kujdes të veçantë. Jo neglizhim i mësimdhënësve dhe edukatoreve të nivelit parashkollor, por paga dhe kushte te punës së favorshme”, ka shkruar Nagavci në Facebook,

Por, ajo thotë se rritje e pagave ka kuptim me vlerësimin e përformancës së mësimdhënësve.

“Ristrukturimi i procesit të vlerësimit të performancës, licencimit dhe zhvillimit profesional të mësimdhënësve do t’i japin kuptim edhe rritjes në paga”, ka shkruar ajo.

Ajo ka thënë se më nuk mund të vazhdojnë më kërcënimet e Sindikatës së Arsimit (SBASHK).

“Paralajmërimet e SBASHK për ndërprerje të procesit mësimor kundrejt rritjes në paga nuk kanë arsyetim! Ky cikël i përsëritshëm i kërcënimeve nuk mund të vazhdoj më. SBASHK gëzon të drejtë të garantuar ligjore për organizim dhe reagim sindikal, por nuk mund të cenoj të drejtën kushtetuese të nxënësve për shkollim. Nuk ndërpritet procesi mësimor sa herë që dikush dëshiron”.

Ajo ka thënë se sindikatat janë partneri i Ministrisë së Arismit për zhvillimin e sistemit arsimor.

“Jam shumë e bindur në përkushtimin e mësimdhënësve dhe përgjegjësinë që të njëjtit ndjejnë ndaj nxënësve. Sindikatat janë partneri ynë social, andaj dhe kemi shqyrtuar çdo kërkesë të tyre. Projektligji i ri i pagave adreson rangimin e punëtorëve të arsimit edhe më mirë sesa SBASHK-u kishte kërkuar e që ishte pajtuar, me ish-qeverinë, andaj edhe procesi mësimor s’bën të pengohet”, ka vazhduar Nagavci.

Ajo ka treguar se janë bërë të gjitha përgaditjet për nisjen e procesit mësimor.

“Angazhimi ynë është shumë dimensional, në përmirësimin e infrastrukturës në shkolla, avancimin e infrastrukturës ligjore, që të kemi staf të kualifikuar, tekste cilësore, kabinete e laboratore, në mënyrë që t’i përmirësojmë rezultatet në arsim”, ka shkruar ndër tjerash Nagavci. /Express