Nagavci: Për 1 vit e gjysmë kryem shumë punë në arsim, e kemi vullnetin e hekurt për punë të mira

E publikuar: 23/08/2022 15:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka shpalosur punët që ky dikaster, sipas saj, i ka kryer në një vit e gjysmë qeverisje.

Ajo tha për një vit e gjysmë kanë nisur reforma dhe i janë përgjigjur emergjencave që vijnë, siç tha ajo, si rezultat i gjendjes në të cilën e kanë gjetur sektorin e arsimit.

E para e MASHTI-t tha se për herë të parë kanë ndarë buxhet për mësimdhënësit me probleme shëndetësore prej 1.7 milionë euro ku përfitues janë rreth 300 mësimdhënës.

Më poshtë gjeni punët që sipas Nagavcit janë kryer në 1 vit e gjysmë qeverisje:

“Kemi ndarë buxhet për mësimdhënësit që janë tepricë teknologjike që të mos i lëmë pa punë.

1600 mësimdhënësve ju kemi ruajtur normat dhe jemi duke punuar që mësimdhënësit të mos rrezikojnë vendet e punës e po punojmë njëkohësisht edhe për riplanifikim e kujdes për buxhetin.

Sivjet kemi punësuar 100 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta – për vitin që vjen + 300 asistentë tjerë, për të cilët tashmë është planifikuar buxheti.

Ndër tjera kemi zgjidhur problemin me norma, psh. në Komunën e Fushë Kosovës – ky problem ka qenë më shumë se 10 vjet.  Në buxhetin e vitit 2023 tashmë janë paraparë më shumë se 150 norma të stafit arsimor për këtë komunë.

Në Projektligjin e ri për paga i cili është në diskutim paraprak, të gjitha kategoritë e punëtorëve të arsimit janë trajtuar me kujdes të veçantë.

Në raport me ligjin e kaluar kemi ngritje të koeficientëve në të gjitha kategoritë e mësimdhënësve dhe stafit tjetër të shkollave.

Kemi eliminuar padrejtësitë e shumë punonjësve të sektorit të arsimit si biblotekist, psikolog, pedagog dhe sekretar.

Jemi duke punuar maksimalisht që të përmirësojmë kushtet e punës në shkolla e t’ i pajisim me kabinete, laboratore e salla sportive”.

Tutje, ajo tha se 14 shkurti (dita kur u mbajtën zgjedhjet qendrore), ka qenë moment i kthimit të madh për rregullimit e çdo sektori shoqëror.

“Dhe padyshim fajtorët nuk janë anonim. Jam shumë e vetëdijshme për gjendjen aktuale, por çdo ditë po marrim iniciativa e vendime që do të na nxjerrin përfundimisht nga kjo gjendje. Kemi e do të kemi pengesa, por kemi edhe vullnetin e hekurt që besimin që kemi marrë nga qytetarët për programin tonë ta çojmë deri në fund”, shkroi Nagavci, përcjell Klankosova.tv.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com