Mutacioni i ri i COVID-19, reagon Von der Leyen: Bota është në një garë me kohën

E publikuar: 29/11/2021 11:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bota është në një “garë me kohën” pas përhapjes së variantit Omicron, tha presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen të dielën, shkruan CNN.

Ndërsa identifikohen më shumë raste dhe qeveritë në mbarë botën po mobilizohen për t’iu përgjigjur Omicron, një takim urgjent i ministrave të shëndetësisë të G7 do të mblidhet të hënën, tha Mbretëria e Bashkuar.
Ajo gjithashtu njoftoi të dielën rregulla të reja të shëndetit publik që kërkojnë përdorimin e detyrueshëm të maskave në dyqane dhe në transportin publik duke filluar nga kjo javë. Omicron u identifikua për herë të parë nga shkencëtarët në Afrikën e Jugut, të cilët ngritën alarmin për numrin jashtëzakonisht të lartë të mutacioneve.

Që atëherë, të paktën një duzinë vende të tjera kanë konfirmuar raste të variantit të ri. Përveç Afrikës së Jugut, varianti është zbuluar në Botsvana, Belgjikë, Kanada, Australi, Holandë, Danimarkë, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Izrael, Itali, Republikën Çeke dhe Hong Kong.

Të dielën, autoritetet holandeze njoftuan se të paktën 13 persona kishin rezultuar pozitiv në aeroportin e Amsterdamit Schipol pasi udhëtuan nga Afrika e Jugut. Zyrtarët kanadezë shëndetësorë konfirmuan gjithashtu dy rastet e para të variantit Omicron në Otava të dielën, raporton abcnews.al

Të dy personat e infektuar kishin udhëtuar nga Nigeria, sipas një deklarate të përbashkët nga Zëvendëskryeministri dhe Ministrja e Shëndetësisë Christine Elliott dhe Shefi i Shëndetësisë Dr. Kieran Moore. Zbulimi i variantit dhe përhapja e shpejtë në të gjithë botën na ka treguar se pandemia nuk ka përfunduar.

Një numër vendesh kanë mbyllur kufijtë e tyre për udhëtarët nga Afrika e Jugut, me Bashkimin Europian, Japoninë , Australinë, Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Ruandën dhe shumë të tjerë që kanë pezulluar udhëtimet nga vendet si Afrika e Jugut, Botsvana, Zimbabve, Namibia, Lesoto, Eswatini, Mozambiku dhe Malavi.

Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa i përshkroi këto kufizime si të pabaza.

“Këto kufizime janë të pajustifikuara dhe diskriminojnë në mënyrë të padrejtë vendin tonë. Kufizimet e udhëtimit nuk do të jenë efektive në parandalimin e përhapjes së këtij varianti. E vetmja gjë që do të bëjë ndalimi i udhëtimit është të dëmtojë më tej ekonomitë e vendeve të prekura dhe të minojë aftësinë e tyre për t’u dhe rimëkëmbur nga pandemia”, tha ai./abcnews.al