Mustafa udhëton për në Londër, “shpëton” koalicionin nga shpërbërja!

E publikuar: 05/05/2017 00:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pavarësisht situatës së krijuar në skenën politike në vend, pas presionit të PDK-së ndaj LDK-së për prishje të koalicionit qeverisës, nëse dështon në përmbylljen e temave të mëdha, siç është çështja e Demarkacionit, Kryeministri i Kosovës Isa Musafa vazhdon të sillet ashtu sikurse raportet ndërmjet partive në koalicion janë në ‘dyzen’.

E këtë gjë po e dëshmon edhe udhëtimi i tij drejtë Londrës, i planifikuar për nesër së bashku me Ministrin e Financave Avdullah Hoti, ku sipas një njoftimi të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, atje pritet të nënshkruajnë një marrëveshje e cila ka të bëjë me bashkëpunimin me Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim në sektorin e financimit.

Por, nga LDK-ja mohojnë se Kryeministri Mustafa përmes vizitës në Londër është duke ju shmangur presionit të PDK-së për prishje të koalicionit.

Është Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së, ai i cili mohon se vizita e shefit të tij është e lidhur me zhvillimet e fundit në skenën politike në vend.

“Vizita e Kryeministrit Mustafa ka qenë programuar”, ka thënë ai për “Gazeta Blic’

Në anën tjetër, Imer Mushkolaj, njohës i zhvillimeve politike vlerëson se Kryeministri Mustafa me këtë vizitë është duke u përpjekur që ta krijojë përshtypjen tek opinioni se gjithçka është normale në skenën politike.

“Mustafa po përpiqet të krijojë përshtypjen se gjithçka është normale, edhe pse realisht nuk është kështu. Koalicioni është para shpërbërjes dhe Mustafa duhet të sillet konform kësaj situate”, tha ai.

Sipas Mushkolajt, në këtë fazë papërgjegjshmëria e Mustafës “është shumë e rëndësishme dhe nuk mund të fshihet pas vizitave të tilla thua se asgjë nuk po ndodh.”

Përveç presionit që po i bëhet LDK-së nga PDK-ja, për prishje të koalicionit, janë edhe partitë opozitare të Kuvendit të Kosovës VV, AAK dhe NISMA, ato që së fundmi janë bashkuar rreth mocionit të mosbesimit, përmes të cilit synojnë rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Isa Mustafa.

Mocioni i mosbesimit, iniciativë kjo e Nisma për Kosovën, sipas raportimeve të mediave aktualisht ka mbledhur 41 nënshkrime, çka ia mundëson kësaj të fundit thirrjen e një seance të jashtëzakonshme dhe dërgimin e mocionit në Kuvend. Që të arrihet qëllimi i mocionit për rrëzimin e Qeverisë, ai duhet të merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. /GazetaBlic/