Mustafa: Pacolli në kohën kur ka kërkuar koalicion me VV ka shkuar në Zvicër dhe më pas nuk është lajmëruar kurrë!

E publikuar: 12/09/2017 21:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-kryeministri i vendit dhe kryetar i LDK-së, Isa Mustafa ka sqaruar një periudhë kruciale që ka ndikuar në ikjen e AKR-së së Behgjet Pacollit nga koalicioni me të dhe Alternativën duke thënë se Pacolli është zhdukur në Zvicër bash në kohën kur LDK dhe Alternativa ishin duke harmonizuar programet për të qenë gati për të bërë Qeverinë.

“Pacolli në kohën kur ka kërkuar që koalicioni të takohet me VV-në dhe pasi unë jam takuar me ta, ai ka shkuar në Zvicër dhe më pas nuk është lajmëruar kurrë”, ka thënë Mustafa në Rubikon të KTV-së.

Ai ka thënë se kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka telefonuar dhe është interesuar për Pacollin në mënyrë që të organizohet takimi me Vetëvendosjen, por Pacolli nuk është përgjigjur.

“Ata thanë se duhet ulemi, për çështje të mëdha. Unë i thash, uluni e diskutoni për demarkacionin, për dialogun me Serbinë dhe grupi tjetër ulet e diskuton për programet e Qeverisë, por kjo nuk ka ndodhur sepse Pacolli nuk ka qenë këtu”, ka thënë Mustafa.

“Nuk isha e sigurt se çfarë po do, sepse kur kërkon takim duhet të jesh aty. Kur është kthyer ka treguar se po kapërcen dhe po i bashkëngjitet koalicionit PAN”, ka thënë Mustafa.