Mustafa i bën thirrje veteranëve mos të zbrapsen: Qeveria veproi me forcën e votës

E publikuar: 16/06/2022 20:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Veteranët e luftës së UÇK-së protestuan sot para Kuvendit të Kosovës duke kërkuar përfshirjen e kësaj kategorie në Ligjin për Pagën Minimale.

Kërkesat e veteranëve kanë gjetur mbështetje tek partitë opozitare në Kuvend, por jo edhe tek partia në pushtet, deputetët e së cilës së bashku me ata të Listës Serbe kanë votuar pro Projektligjit për Pagën Minimale në lexim të parë, i cili nuk përfshinte veteranët, shkruan lajmi.net.

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një prononcim për lajmi.net ka deklaruar se Qeveria në këtë rast ka vepruar me forcën e votës.

“Qeveria ka vepruar në këtë rast me forcën e votës. Me logjikën se mund të vendosë çdo gjë arbitrarisht. Iu ka bashkangjitur edhe Lista Serbe, sigurisht jo për esencën e ligjit, por se janë kundër veteranëve dhe UÇK-së. Logjika se një herë e votojmë Ligjin pastaj Ministri i Financave vendos shumën për këtë kategori është joserioze. Ministri nuk është ligj por zbaton ligjin”, ka thënë Mustafa.

Tutje, ai ka thënë se veteranët duhet të vazhdojnë ta shfrytëzojnë këtë të drejtë derisa të bëhet kategorizimi me ligj i tyre nga ana e Qeverisë.

Kujtojmë se në seancën e sotme parlamentare, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se do ta anulojë vizitën e nesërme të tij në Maqedoni të Veriut, për t’u takuar me përfaqësuesit e veteranëve.