Mustafa: Delegacioni që do të udhëtojë në Washington nuk do të jetë i zgjeruar

E publikuar: 16/06/2020 11:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova dhe Serbia janë pajtuar që t’i heqin pengesat për dialog. Përfaqësuesit e të dyja vendeve do të takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë në Washington. Por, Kosova ende nuk e ka caktuar përbërjen e ekipit negociues.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i pyetur nga Gazeta Express se a do të jetë pjesë e ekipit negociues si kryetar i njërës prej partive më të mëdha në vend, ka deklaruar se ende nuk është caktuar delegacioni.

“Nuk është caktuar delegacioni akoma”, ka thënë Mustafa.

Megjithatë, kreu i LDK’së deklaroi se nuk pret që delegacioni të zgjerohet.

“Nuk pres që kësaj radhe ka nevojë të zgjerohet delegacioni”, ka thënë Mustafa për Express.

Ndryshe, i emëruari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, njoftoi se qeveritë e këtyre dy vendeve janë pajtuar që të takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, pasi palët janë pajtuar që t’i heqin pengesat për dialog.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ditë më parë ka prezantuar një platformë dialogu në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku tha se marrëveshja përfundimtare me Serbinë kërkon njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në OKB.

Ai ka ftuar opozitën t’i bashkohet procesit të dialogut.

Ndërkohë ka theksuar se bisedimet me Serbinë do t’i udhëheq ai si kryeministër i Kosovës.

“Dialogun e udhëheq kryeministri vendit, nuk do të bëj kurrfarë gare me askënd, sepse kompetencat i kam të qarta dhe janë betonuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Kam dërguar ftesë edhe tek opozita që të prezantojmë qasjen e qeverisë karshi dialogut Kosovë-Serbi. Një pjesë e opozitës ka heshtur ndaj ftesës sonë. Integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i padiskutueshëm. Marrëveshjet duhet të arrihen me njohje reciproke”, ka deklaruar Hoti.  

E presidenti Hashim Thaçi, ka deklaruar se Kosova është gati për të rifilluar dialogun me Serbinë.

Ai ka deklaruar se pas heqjes së masave të reciprocitetit, Kosova ka larguar çdo pretekst që Serbia e ka shfrytëzuar për t’i ikur dialogut.

“Shpreh mirënjohje dhe jam i inkurajuar për heqjen e çdo preteksti që Serbia e ka shfrytëzuar për t’i ikur dialogut me shtetin e Kosovës. Kosova e ka të qartë se çfarë kërkon në dialog, e kërkon njohjen reciproke dhe përshpejtimin e rrugës për anëtarësim në Kombet e Bashkuara. Mbi të gjitha, Kosova në këtë proces është bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë aleatët tjerë. Pra, nuk kemi çfarë të hezitojmë është një rrugëtim i sigurt, ne kemi shpresë dhe besojmë që kjo do të përmbyllet sipas vullnetit qytetarëve të vendit”, ka thënë Thaçi.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë ndërprerë në nëntorin e vitit 2018, kur Qeveria Haradinaj, vendosi taksën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe atyre të Bosnje e Hercegovinës.

Nga ajo kohë, Beogradi e ka kushtëzuar rikthimin në tavolinën e bisedimeve me heqjen e taksës, e së fundmi edhe të reciprocitetit./GazetaExpress/