Musliu: Amnistimi i veprimeve të EULEX-it, dëftesë e mjerimit politik të Hotit

E publikuar: 26/09/2020 21:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka kritikuar ashpër kryeministrin Avdullah Hotin për deklarimin e tij për arrestimet e krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të premten.

Një ditë pas arrestimeve me shumë bujë në zyrat e OVL-së, ku EULEX-i kreu bastisje dhe nisi drejt Hagës kreun e OVL-së Hysni Gucati dhe nënkryetarin Nasim Haradinaj, kryeministri Hoti u shpreh se “veprimet e Dhomave të Specializuara burojnë nga detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre ligjore dhe kushtetuese, dhe duhet konsideruar si veprime të pavarura të drejtësisë”, teksa shtoi po ashtu se “Qeveria e Republikës së Kosovës e njeh si të pa tjetërsueshëm qëllimin e pastër e të shenjtë të popullit të Kosovës në luftën për liri”.

Në anën tjetër, Musliu këtë e ka quajtur amnisti të veprimeve të EULEX-it, teksa ka shtuar se deklarimi i Hotit “Mirë Eulexi e mirë UÇK-ja nuk shkon sepse vetëm njëra palë po prangoset”.

“Ti Dullë nuk fole dje kur u arrestuan ish ushtarët e UÇK-së, nuk mund të flasësh as sot për Drejtësi duke e ulur kokën para padrejtësive. Dulle a i kërkove Eulexit sqarime për arrestimet e djeshme të cilat ti i arsyeton sikur të ishe zëdhënës i Gjykatës? A i kërkove sqarime për nxjerrjen e dokumenteve sekrete? Pse të arrestohet pranuesi e jo dërguesi? Dulle a je Kryeministër i një shteti apo një marionetë që dirigjohet nga larg? Dullë je kryeministër dhe ke përgjegjësi që t’i drejtohesh popullit që po të nëpërkëmbët. Amnistimi i Eulexit 24 orë pas ngjarjeve është dëftesë e mjerimit tënd politik”, ka shkruar ajo në Facebook. “Dullë kanë ardh në këtë tokë lloj-lloj sulltani e historia jonë njehë edhe Toptana. Ata vijnë e shkojnë Dullë, ne do të mbetemi këtu; disa ballëndritur e disa të turpëruar”.

Të premten, me urdhërarrest nga Gjykata Speciale në Prishtinë, në zyrat e OVL-së u arrestuan Gucati dhe Haradinaj. Për ta, Gjykata Speciale u deklarua se dyshohen për “pengim të drejtësisë”.