Mushkolaj: Vjosa do të bllokohet në Presidencë, gara pastaj do të bëhet mes VV-së e LDK-së

E publikuar: 31/03/2021 19:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku janë të mendimit se Vjosa Osmani duhet të bëhet presidente. LDK-ja ka marrë vendim që ta bëjë kuorumin në Kuvend në mënyrë që Vjosa Osmani ta arrijë këtë synim të deklaruar që para zgjedhjeve. Opinionisti Imer Mushkolaj mendon se Kurti dhe Abdixhiku kanë interes që ta vënë Osmanin në Presidencë për pesë vitet e ardhshme.

Pretendentja për shefe të shtetit, Vjosa Osmani, e cila rrugës drejt këtij qëllimi veçse e kishte mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë së kryeministrit Albin Kurti, e ka siguruar së fundmi edhe mbështetjen vendimtare nga ish-partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës. “Vendimi i Kryesisë së LDK-së determinon edhe fatin politik të vendit për një periudhë pesëvjeçare”, tha kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, pasi doli nga mbledhja me Grupin Parlamentar të partisë të martën, ku shumica kishin vendosur që t’ia mundësonin Vjosa Osmanit që të zgjidhet presidente.

Ky vendim i LDK-së që i nevojitej aq shumë Vjosa Osmanit, duket se është tepër i rëndësishëm edhe për kryeministrin dhe kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, si dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Opinionisti Imer Mushkolaj ka thënë për Gazetën Express se përpos që ka treguar lidership, Abdixhiku me këtë vendim ia ka hequr vetes një rrezik në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe ato parlamentare.

Vendim strategjikisht korrekt

“Vendimi është strategjikisht korrekt dhe në njëfarë forme në këtë mënyrë, përpos që Z. Abdixhiku e ka hequr rrezikun e quajtur Vjosa Osmani për zgjedhjet e ardhshme – qoftë ato lokale, qoftë ato të përgjithshme – ka treguar edhe një lidership siç i takon një partie institucionaliste siç thotë LDK-ja se është”, tha Mushkolaj.

Ai ka vlerësuar se çdo vendim tjetër do t’i bënte dëm LDK-së, duke shpjeguar se si mund të lëvizë drejt kësaj partie një pjesë e elektoratit që votoi për Vjosa Osmanin, e cila garoi në zgjedhje së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje, partinë e ish-kundërshtarit të saj politik, Albin Kurti.

“Strategjikisht është një vendim i mirë në përgjithësi për LDK-në dhe në veçanti për kryetarin e LDK-së. Në fakt, çdo vendim tjetër ose ndryshe prej këtij që e ka marrë Kryesia e LDK-së do të ishte i dëmshëm për LDK-në në situatën në të cilën ajo është. Të mos harrojmë se një pjesë e madhe e votuesve të LDK-së kanë votuar për listën e Lëvizjes Vetëvendosje, respektivisht zonjën Osmani. Kështu që, duke pasur parasysh se ky elektorat është i lëvizshëm dhe mund të lëviz – mbase jo shpejt por në një afat kohor pak më të gjatë – atëherë vendimi është strategjikisht korrekt”, tha Mushkolaj.

Kjo është e menduar mirë nga Z. Kurti

Osmani, nëse zgjidhet presidente nuk do të mund të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale, e as në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme parlamentare, kurdo që të mbahen ato. Kësisoj, Mushkolaj ka vlerësuar se kryetari i LVV-së, Albin Kurti, jo rastësisht e mbështet Osmanin për presidente. Ai ka thënë se Kurti e ka menduar mirë këtë.

“Natyrisht që tash zonja Osmani është “e bllokuar” me postin e presidentes dhe gara politike do të zhvillohet mes Vetëvendosjes dhe LDK-së si të tillë, kështu që natyrisht se është një veprim i ndërmarrë me strategji edhe nga Z. Kurti dhe jo rastësisht, qysh para zgjedhjeve Z. Kurti e pati shfaqur zonjën Osmani krah vetes si presidente të ardhshme. Tash ai duhet të punojë në mënyrë që t’i ruaj këto vota të cilat i ka fituar bashkë me zonjën Osmani. Se a do të mund t’i ruajë apo jo, do tëvaret prej punës apo mospunës që ai do ta bëjë. Por unë besoj që kjo është mirë e menduar nga Z. Kurti në suaza afatgjata, pra në një afat më të gjatë kohor se si t’i qaset këtij problemi”, tha Mushkolaj.

Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit ku LVV së bashku me Listën e Vjosa Osmanit morën 50.26% të votave, Albin Kurti dhe ish-kandidatja e LDK-së për kryeministre i pritën në takime të ndara në Kuvend përfaqësuesit e partive tjera për të folur rreth formimit të institucioneve, në veçanti për çështjen e Presidentit, për të cilin ata të vetëm nuk e kanë mbështetjen e mjaftueshme.

Lumir Abdixhiku, i cili më 14 mars u zgjodh kryetar i LDK-së, u takua së paku dy herë me Vjosa Osmanin për ta diskutuar mundësinë që deputetët e kësaj partie ta mbështesin atë për t’u zgjedhur presidente.

Abdixhiku propozoi që deputetët e kësa partie të rrinë në Kuvend për t’ia bërë kuorumin e nevojshëm Vjosa Osmanit. Me shumicë absolute të votave, LDK-ja vendosi të hënën t’i japë mbështetje propozimit të Abdixhikut në mbledhjen e Kryesisë, jashtë së cilës u lanë zyrtarë të lartë të partisë si Agim Veliu e Driton Selmanaj, që konsideroheshin si ‘armiqtë’ më të mëdhenj të Osmanit dhe fajtorë për rezultatin më të dobët ndonjëherë që partia e mori në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Veliu e Selmanaj, por edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, të cilët janë zgjedhur deputetë, ka dyshime nëse do ta respektojnë vendimin e Kryesisë së re për të qëndruar në sallën e Kuvendit dhe të marrin pjesë në proces, kur Osmani të votohet për presidente. Ata mendojnë se Osmani kishte bërë gabim duke i kundërshtuar vazhdimisht vendimet e partisë gjatë udhëheqjes së Isa Mustafës.