Murtezaj: Emisarët e Macron dhe Scholz janë shtytje e re për dialogun Kosovë-Serbinë

E publikuar: 06/09/2022 18:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Profesori i diplomacisë Valon Murtezaj ka thënë se dërgimi i emisarëve të presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz është një shtytje e re për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka theksuar se dialogu duhet të merret me seriozitet të lartë nga pala kosovare.

“Franca dhe Gjermania janë shtetet kryesore në Bashkimin Evropian – kjo nënkupton se dialogu ka një moment të ri duke pasur parasysh se edhe në të kaluarën integrimi i Ballkanit Perëndimor është konsideruar si çështje e sigurisë së BE-së”.

Ai ka shtuar se tani duke pasur parasysh agresionin e Rusisë në Ukrainë, është i nevojshëm ky angazhim i Francës dhe Gjermanisë.

“Në njërën anë kjo tregon interesim dhe përfshirje të drejtpërdrejtë që është gjë e mirë – edhe një herë konfirmohet se dialogu nuk është proces periferik për BE-në. Në anën tjetër është një lloj rienergjizimi i dialogut sepse pas gjithë këtyre viteve nuk është se ka pasur suksese të mëdha”.

“Emnanuel Bon është presoni kryesor i diplomacisë së presidentit francez Emmanuel Macron. Kjo tregon se ai po dërgon njeriun më të rëndësishëm në këtë proces”.

“Kjo nënkupton se dialogu duhet të merret me seriozitet dhe se duhet të gjenerohen alternativa që do t’u dërgonin këtyre emisarëve mesazhe të qarta se Kosova është e gatshme dhe po ofron opsione sa i përket dialogut me Serbinë”.

Sipas Murtezajt, problemi kryesor në procesion e dialogut ka qenë qasja destruktive e qeverisë së Serbisë.

“Tash mbetet të shihet se sa janë ata të gatshëm që ta ndërrojnë qasjen ndaj këtij dialogu”.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com