Murray nuk gabon, mposht me përmbysje Nishikorin

E publikuar: 16/11/2016 22:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një ditë më pas Andy Murray i kundërpërgjigjet Novak Djokovic-it. Lufta në distancë për vendin e parë në klasfikimin e Atp vazhdon mes tenistit skocez dhe atij serb. Murray ashtu si Djokovic në grupin B regjistroi fitoren e tij të dytë në grupin A të Atp World Tour Finals, pasi mposhti me përmbysje Kei Nishikorin. Ishte një ndeshje shumë e rivalizuar ajo mes numrit 1 të Botës dhe tenistit japonez. 3 orë e 20 minuta zgjati sfida e zhvilluar në O2 Arena të Londrës me Murray që pas këtij suksesi hodhi një hap të sigurtë drejt kualifikimit për në fazën gjysmëfinale të Atp World Tour Finals.

Seti i parë i ndeshjes u fitua nga Kei Nishikori në tiebreak me Murray-in që shpërdoroi një break point në game-in e 12-të për ta mbyllur setin me shifrat 7-5. Në tiebreak, numri 5 i Botës që në ndeshjen e parë kishte mposhtur lehtësisht Wawrinkan u tregua më i saktë se skocezi duke triumfuar 11-9. Me avantazhin e seteve 1-0 në favor të Nishikorit, Murray reagoi fuqishëm në të dytin duke i rrëmbyer në dy raste turin e shërbimit tenistit japonez për ta fituar setin me shifrat 6-4. Edhe seti i tretë ishte shumë i ngjashëm me të dytin me Murray që edhe pse humbi një game me shërbimet e tij e theu dy herë në servis, Nishikorin duke triumfuar po 6-4 dhe duke e fituar gjithë ndeshjen 2-1. Sfidën e fundit në grupin A, numri 1 i Botës do ta ketë ndaj Stan Wawrinkas.