MSH-SHSKUK s’tregojnë sa pacientë vdiqën sot, kërkojnë përmbajtje nga konkludimet e parakohshme

E publikuar: 05/07/2020 16:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës shprehin keqardhje me rastin e vdekjes së pacientëve, të diagnostikuar me Covid-19, në orët e para të mëngjesit të ditës e diele.

Në një komunikatë për media thuhet se për shkak të shtimit të numrit të vdekjeve brenda një afati të shkurtër kohor, janë ngritur dyshime lidhur me natyrën e vdekjes së këtyre pacientëve.

SHSKUK konfirmon se deri në këto momente të gjithë ketë pacientë kanë qenë të konfirmuar përmes metodës standarde të aplikushme të diagnostikimit me Covid-19 dhe kanë qenë në gjendje kritike duke u trajtuar në Klinikën Infektive-QKUK.

Me qëllim që të zbardhet çdo dyshim rreth natyrës së vdekjes së tyre, MSh dhe SHSKUK u bëjnë thirrje publikut dhe të gjithëve që të përmbahen nga konkludimet e parakohshme dhe t’u japin kohën e duhur institucioneve përgjegjëse për ta bërë analizën e shkaqeve të vdekjeve dhe të nxjerrin përfundimet meritore.

SHSKUK konfirmon se fluksi i pacientëve me pasqyrë të rëndë klinike nga Covid-19 është rritur ndjeshëm javët e fundit, ndërsa QKUK ka rritur kapacitetet e saja të Mjekimit Intensiv, me qëllim të trajtimit të të gjithë pacientëve të spitalizuar, pavarësisht ngarkesave të mëdha.

MSH dhe SHSKUK i ngushëllojnë familjarët e pacientëve që kanë humbur betejën me Covid-19, thuhet në një komunikatë për media./kp/