MPJ e Turqisë: Shpresojmë së shpejti Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje edhe për targat

E publikuar: 28/08/2022 13:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë ka bërë të ditur se e mirëpret marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes.

Kjo ministri u shpreh se shpreson që dy vendet të arrijnë marrëveshje edhe për targat.

“E mirëpresim marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për dokumentet identifikuese. Shpresojmë që palët të bien dakord sa më shpejt për çështje të tjera, veçanërisht për çështjen e targave”, thuhet në komunikatën e tyre.

Tutje, aty thuhet se Turqia do të vazhdojë përpjekjet për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Turqia, si një vend ballkanik, i kushton rëndësi të madhe ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe mbështet zgjidhjen e problemeve përmes dialogut, si dhe iniciativat për këtë qëllim. Turqia do të vazhdojë të përpiqet për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në komunikatë.