Motivi absurd i vrasjes së kryeministrit, bota e shokuar!

E publikuar: 08/07/2022 20:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Shinzo Abe
Share:

Një armë artizanale, një arsye e paqartë, asnjë mëri politike: Vrasja e ish kryeministri japonez, Shinzo Abe tronditi Japoninë e mbarë botën, dhe ende nuk ka asnjë informacion konkret mbi motivin e këtij episodi tragjik.

I vetmi shpjegim që dha për forcat e rendit personi arrestuar për ngjarjen, 41 vjecari Tetsuya Yamagami, ishte zemërata e tij ndaj një organizate të caktuar, pjesë e të cilës besonte se ishte dhe Abe vetë. Kaq mjaftoi që një njëri i thjeshtë të orkestronte vrasjen e ish kryeministrit më jetëgjatë të Japonisë në këtë post, ku shërbeu nga viti 2006 deri në 2007 dhe më pas nga 2012-ta deri në 2020-tën, dhe një figurë tejet e njohur dhe e vlerësuar ndërkombëtarisht.

Liderët botërore e njerëz të thjeshtë u shprehën të shokuar nga ngjarja, jo vetëm nga vrasja e politikanit të lartë, por edhe nga fakti që Japonia në vetvete konsiderohet një nga vendet më të sigurta të botës. Teksa e përshkroi Aben si mikun e tij, kryeministri aktual Fumio Kishida tha se vendi i tij, nuk do të gjunjëzohet kurrë përpara dhunës.

“Në nuk do të dorëzohemi. U luta shumë t`i shpëtohej jeta vetëm që në fund të mësoja vdekjen e tij. Është e tmerrshme, jam pa fjalë.”- tha Fumio Kishida

Shefi i NATO-s, Jens Stoltneberg ishte ndër të parët që reagoi pas lajmit të trishtë.

“Thellësisht i pikëlluar nga vrasja e tmerrshme e Shinzo Abes, një mbrojtës i demokracisë dhe miku e kolegu im për shumë vite. Ngushëllimet më të thella familjes së tij.”- tha Jens Stoltenberg

Një sërë liderësh ndërkombëtarë ndoqën shembullin e tij. Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken shprehu dhimbjen e thellë dhe shqetësimin.

“Mendimet tona, lutjet tona janë me familjen e tij dhe popullin japonez”, ka thënë Blinken, sipas “New York Times”.

Kryeministri britanik në largim, Boris Johnson u shpreh, se Britania e Madhe qëndron krah Japonisë pas atentatit kundër Abes. Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock shprehu tronditjen e saj. “Mendimet e mia janë me të dhe familjen”, u shpreh ajo. Në rruget e Japonisë, njerëzit ende e kanë të vështirë të besojnë atë që ndodhi.

“Nuk më duket reale e gjithë kjo. Më pëlqente personaliteti i tij, politika e tij. Ai dha një kontribut të madh për këtë vend e mund të jepte akoma. Kjo është një humbje shumë e madhe për Japoninë.”- tha një banor.

Ish presidenti amerikan Barak Obama kishte punuar ngushtësisht me Aben, e shefi i Shtëpisë së Bardhë Joe Biden gjithashtu. Ai e pershkroi si një kampion të aleancës mes dy kombeve të tyre dhe të miqësisë mes dy popujve. Abe e kishte kthyer në synimin e tij transformimin ekonomik të vendit.

Kur mori postin në 2012-tën, Japonia ishte ne recesion dhe programi i tij, i njohur si Abenomics ndihmoi në rikthimin e rritjes ekonomike, edhe pse u përball me sfida të mëdha gjatë krizës së 2020-ës. Pas vdekjes së politikanit 67 vjec, pyetje të shumta janë ngritur mbi sigurinë e garantuar nga policia në eventin ku ai po mbante një fjalim përpara simpatizantëve të partisë së vet liberal-demokratike./TCH/

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!