Molliqaj: Kurti ia ndau KEDS-it 45 milionë euro për t’ia mbuluar humbjet, dyfish më shumë se çdo qeveri paraprake

E publikuar: 23/12/2021 21:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, në emisionin Pressing të T7, ka thënë se Qeveria Kurti ia ka ndarë KEDS-it 45 milionë euro për t’i kompensuar humbjet.

Sipas tij, shuma prej 45 milionë eurove është dyfishi i çdo shume që qeveritë paraprake ia kanë ndarë KEDS-it për t’ia mbuluar humbjet.

“Për dy ditë, Qeveria e Albin Kurtit ia ka ndarë KEDS-it 45 milionë euro nga taksat tona, për t’ia kompensuar humbjet. Dyfishin e çdo qeveria paraprake”, është shprehur Molliqaj.

Tutje, Molliqaj tha se tendenca e qeverisë për ta drejtuar gishtin nga qytetari për këtë krizë energjetike është e papranueshme.

“Tendenca e qeverisë se qytetarët po harxhojnë shumë është e papranueshme. Në Kosovë kemi një qeveri e cila është totalisht përgjegjëse për çdo minutë që nuk ka rrymë në Kosovë”, shtoi Molliqaj./Express/