Mitrovica e Veriut humb 7.8 milionë euro për fajin e Rakiqit

E publikuar: 29/07/2017 08:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostollova, ka thënë se dështimi i dy projekteve për të cilat BE-ja do të financonte me 7.8 milionë euro nuk kanë lidhje me revitalizimin e urës, por me dështimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, për t’i larguar 8 objekte të ndërtuara pa leje në afërsi të hapësirës ku do të ndërtoheshin ndërtesa e Universitetit Verior dhe Qendra e Kulturës, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Përfaqësuesja speciale e BE-së në Kosovë, Natalya Apostollova, ka sqaruar se anulimi i financimit të dy projekteve në veri të Mitrovicës, ndërtimi i objektit të Universitetit Verior dhe i Qendrës Kulturore, për të cilat projekte BE-ja do t’i investonte 7.8 milionë euro, ka ardhur për fajin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, i cili ka dështuar t’i largojë objektet e ndërtuara pa leje në afërsi të hapësirës ku do të ndërtoheshin këto dy objekte.

Sipas Apostolloves, vendimin për anulimin e projektit për ndërtimin e Universitetit dhe Qendrës Kulturore në veri të Mitrovicës e kanë sjellë institucionet e Bashkimit Evropian në Bruksel dhe ky vendim nuk ka asnjë lidhje me revitalizimin e urës kryesore mbi lumen Ibër në Mitrovicë.

Sipas saj, kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, paraprakisht kishte premtuar se do ta zgjidhë problemin lidhur me largimin e objekteve të ndërtuara pa leje në afërsi të hapësirës dhe se për këtë çështje me Rakiqin është biseduar 8 muaj.

LEXO EDHE: PDK-ja nis ‘luftën’ me LVV-në

Sipas saj, vendimi për anulim të projekteve nuk ka qenë i lehtë dhe ai ka pasuar pas bisedimeve të rënda dhe të gjata, shkruan tutje “Zëri”.

“E kuptuam që ekzistojnë probleme të caktuara që ndërlidhen me këto projekte. Për 8 muaj kemi komunikuar me administratën lokale në Mitrovicën Veriore. Kushti i parë për fillimin e projektit ka qenë që të krijohet mundësia për qasje në vendin e ndërtimit të objektit, që është në përgjegjësinë e Komunës që ta zgjidhë. Kryetari i Komunës, Goran Rakiq, ka qenë i vetëdijshëm që kjo punë do të duhej të bëhej deri në prill të këtij viti. Fatkeqësisht, në rrugën dhe në afërsi të hapësirave ku do të duhej të ndërtoheshin objekti i Universitetit dhe Qendra Kulturore ekzistojnë objekte jolegale që pamundësojnë realizimin e projekteve. Largimi i këtyre objekteve ka qenë dhe është nën përgjegjësinë e Komunës. Pastaj pasoi komunikimi me kryetarin e komunës veriore të Mitrovicës dhe kolegët e tij dhe të gjithë kanë qenë të informuar se çfarë duhet të bëjnë. Fatkeqësisht, asgjë nuk është ndërmarrë. Veprimi ynë i fundit, pas skadimit të afatit, ka qenë që ta sjellim zyrtaren e lartë nga Brukseli që ta vizitojë Mitrovicën e Veriut, e cila ia ka shpjeguar seriozitetin e situatës kryetarit të komunës veriore. Pas vazhdimit të afatit përsëri nuk ka ndodhur asgjë. Ne ishim vënë në situatën që nuk kemi mundur asgjë të bëjmë, përveç t’i anulojmë projektet”, ka thënë Apostollova, e cila ka shtuar se vendimin e kanë mbështetur edhe ambasadat e Gjermanisë dhe Francës në Prishtinë….