Mitchell inkurajon të punohet më shumë në forcimin e sundimit të ligjit

E publikuar: 12/03/2018 16:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

Në fokus të bisedës ishin zhvillimet politike në vend, mbështetja që SHBA-të po japin në ndërtimin dhe konsolidimin e Kosovës, si dhe thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Haradinaj siç njofton komunikata nga zyra e kryeministrit, falënderoi Ndihmës Sekretarin Mitchell për ndihmën e pakursyer të SHBA-së, duke theksuar nevojën për mbështetje të mëtejme në të gjitha proceset integruese të Kosovës, por edhe në zhvillimin ekonomik dhe në forcimin e sundimit të ligjit.

“Mbështetja që SHBA-të i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit dhe tani në rrugën e saj euroatlantike, është jetike për Republikën e Kosovës. Ne jemi mirënjohës për gjithë atë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë dhe po bëjnë për Kosovën, e po ashtu të gjithë ne jemi të përkushtuar për miqësi të përhershme me SHBA-të”, tha Haradinaj.

Më tej, Haradinaj tha se Qeveria që ai drejton është e fokusuar në zbatim dhe prioritet e ka zhvillimin ekonomik të vendit.

Në këtë takim, po ashtu u bisedua për krijimin e ushtrisë së Kosovës përmes një procesi kushtetues dhe ligjor, si dhe për dialogun me Serbinë, për të cilin kryeministri tha se duhet të përmbyllet me njohje reciproke.

Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, rikonfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës në të gjitha fushat, duke inkurajuar që të punohet më shumë në forcimin e sundimit të ligjit, por edhe në rritjen ekonomike.

Në takim të pranishëm ishin zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministrat Enver Hoxhaj dhe Dalibor Jevtiq, zëvendës ambasadorja amerikane në Kosovë, Colleen Hyland dhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku./koha.net/