Minxhozi: Heqja e Roaming-ut, hap i rëndësishëm drejt unifikimit

E publikuar: 31/05/2018 18:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, e ka konsideruar lajm shumë të mirë heqjen e Roaming-ut mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke e quajtur si hap të rëndësishëm drejt unifikimit të shumë gjërave që duhet të ndodhin mes dy shteteve, njofton Klan Kosova.

“Është një lajm shumë i mirë, është vullnet i shprehur në mënyrë jo thjeshtë simbolike, por që ndikon shumë për qytetarët e dy anëve të kufirit në vizitat reciproke që do t’i bëjnë në Shqipëri dhe Kosovë”, ka thënë Minxhozi në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Është diçka që më tepër i gëzon qytetarët që vizitojnë në mënyrë të herëpashershme”.

Megjithatë, Minxhozin më së shumti e ka gëzuar vota unanime e arritur në Kuvendin e Kosovës për heqjen e roamingu-t, duke thënë se ishte një vullnet i të gjithë faktorëve politikë që kjo të kalojë.

Ai po ashtu bëri të ditur se edhe institucionet e Shqipërisë ishin në dijeni për një iniciativë të tillë.

“Natyrisht, ishim në dijeni që një ligj i tillë, që kjo rezolutë do të kalonte në parlament”.

“Është një hap shumë i rëndësishëm drejt unifikimit të shumë gjërave që duhet të ndodhin mes Shqipërisë dhe Kosovës”.

Minxhozi njoftoi se në ditët në vijim do të rishikohet nga të dyja anët në mënyrë që kjo marrëveshje të bëhet efektive, dhe se u hodh një hap i rëndësishëm legjislativ i cili do t’iu hapë rrugë institucioneve të tjera për ta zbatuar.