Ministrja serbe e quan të pakujdesshme deklaratën e Brnabiq për “njerëzit e malit”

E publikuar: 31/05/2019 12:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministrja e Serbisë, Zorana Mihajlovic, e cila ushtron edhe postin e ministres së Transportit, e ka konsideruar si të pakujdesshme deklaratën e shefes së saj, Ana Brnabiq, se ‘shqiptarët janë njerëz të malit’

Megjithatë ajo thotë se tashmë zyrtarët në Prishtinë po e shfrytëzojnë një deklaratë të tillë të kryeministres serbe, për të justifikuar ndërhyrjen në veri

“Është e qartë për të gjithë, se tashmë zyrtarët e Prishtinës po e shfrytëzojnë një deklaratë të pakujdesshme të kryeministres, për të justifikuar, brenda dhe jashtë, arrestimin e serbëve që ndodhi ditë më parë, duke i rrahur, dhe arrestuar gjithashtu edhe një qytetar rus, që mbi të gjitha është një anëtar i Misionit të OKB-së në Kosovë”, ka thënë ajo, transmeton Gazeta Express.

Ndër të tjera Mihajlovic thotë se ndodhitë e fundit në veri, tregojnë se është e nevojshme që të arrihet një marrëveshje, jo vetëm për serbët, por edhe për shqiptarët.

“Nëse nuk arrihet një kompromis, atëherë alternativë mbeten konfliktet dhe grindjet, siç ka potencuar edhe presidenti ditë më parë në Kuvend, kur është diskutuar për Kosovën”, ka shtuar ajo.

Ajo ka thënë se Serbia është e përkushtuar për stabilitet, negociata dhe kompromis, duke përmendur edhe kërkesën e Serbisë që Kosova të heq taksën për të vazhduar dialogun./GazetaExpress/