Ministria tregon cilat kategori do të përfitojnë nga subvencionimi i energjisë elektrike

E publikuar: 30/12/2021 11:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Financave ka bërë të ditur kategoritë të cilat do të përfitojnë nga subvencionimi i energjisë elektrike.

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare në Facebook, kjo ministri ka bërë të ditur se përfitues të subvencionimit të energjisë do të jenë familjet në nevojë.

Kategoritë e theksuara nga Ministria e Financave janë familjet me asistencë sociale dhe kategoritë e pensionmarrësve.

Njoftimi i plotë:

Sqarim për publikun lidhur me subvencionimin e energjisë elektrike për familjet në nevojë.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton qytetarët se bazuar në vendimin e Qeverisë nr. 20/50 të datës 23.12.2021, subvencionimi i energjisë elektrike bëhet për kategoritë si në vijim:

Familjet me asistencë sociale dhe

Kategoritë e pensionmarrësve si vijon:

Familjet në Skemën e Ndihmës Sociale;

Familjet e Dëshmorëve të UÇK-së;

Familjet e Viktimave Civile;

Familjet e të Zhdukurve;

Invalidët e Luftës;

Personat e Verbër;

Personat Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë.

Subvencionimi i energjisë elektrike, sipas ligjeve në fuqi, do të bëhet për vitin 2021, edhe atë për aq muaj sa shfrytëzuesi ka përfituar nga skema/pensioni përkatës.

Kategoritë e lartëpërmendura nuk kanë nevojë që të aplikojnë për të përfituar nga ky subvencionim.