Ministria nuk tregon se kur do ta publikojë kontratën e autostradës milionëshe

E publikuar: 10/03/2018 17:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Së shpejti pritet të bëhen publike detajet e kontratës për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdarë, e cila është nënshkruar tetë vite më parë.

Kështu ka vendosur Gjykata Themelore e Prishtinës, e cila e ka aprovuar padinë e Lëvizjes “Fol”, me çka obligohet Ministria e Infrastrukturës, që dokumentet e kërkuara të bëhen publike. Në “Fol” shpresojnë se Ministria do ta respektojë shpejt këtë vendim të Gjykatës.

Një muaj pa u bërë tetë vite nga nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdarë, ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë “Bechtel-Enka”, Gjykata Themelore e Prishtinës ka aprovuar kërkesë-padinë e Lëvizjes “FOL”, me çka obligon Ministrinë e Infrastrukturës, që FOL-it, t’i lejojë qasje në dokumentet e kërkuara.

Demolli-Nimani, nga ‘’FOL’’, tha se kanë mirëpritur aktgjykimin dhe presin që Ministria të respektojë vendimin.

“Bazuar në Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, kjo gjykatë e detyron Ministrinë e Infrastrukturës që të na lejojë qasje në dosjen e tenderit dhe në kontratën për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdarë. Presim një gatishmëri edhe të ministrisë që të na lejojë qasjen e kërkuar tash e tetë vite”.

Demolli-Nimani tregoi për Radio Kosovën arsyet se pse pa reshtur kanë kërkuar qasje në dosjen e tenderit dhe në kontratën e ndërtimit të autostradës Morinë-Merdarë.

“Në vitin 2010, nuk ka pasur vullnet politik që kjo kontratë të bëhet publike, dhe pasi kjo nuk ka ndodhur te qytetarët dhe shoqëria civile janë shtuar dyshimet për keqpërdorime të mundshme rreth këtij procesi tenderues dhe krejt kontratës.”

Që nga 21 prilli 2010, kur është nënshkruar kontrata për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdarë, kosovarët nuk kanë mundur të dinë se çka përmban kjo kontratë dhe sa ka kushtuar ndërtimi i saj. Projekti fillimisht është thënë se do të ketë vlerën 700 milionë euro, por më pas thuhej se kjo shumë është tejkaluar.

Radio Kosova ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës lidhur me atë se a do ta respektojnë vendimin e gjykatës dhe a do ta bëjnë publike dokumentet e kërkuara nga Lëvizja ‘’Fol’’, por përgjigja ka munguar.

Qasja në dokumente publike, edhe pse është e drejtë ligjore, kosovarëve shpesh u mohohet. E për këtë, në Institucionin e Avokatit të Popullit, vitin e kaluar, në 25 raste është kërkuar ndihmë për realizimin e kësaj të drejte, pasi që qasja në dokumentet e kërkuara nuk u është lejuar./insajderi/