Ministria e Drejtësisë në pritje të vendimit të Gjykatës për procesin e konkursit për noterë

E publikuar: 22/09/2021 18:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Ministria e Drejtësisë kanë bërë të ditur se është e pamundur aktualisht që të hapet një konkurs i ri për noterë, pasi janë në pritje të vendimit të Gjykatës për këtë.

“Për shkak të kërkesave të mëdha që kemi pranuar lidhur me hapjen e konkursit për noterë të rinj, Ministria e Drejtësisë njofton opinionin publik se përderisa Vendimin mbi anulimin e provimit të noterisë, palët e pakënaqura e kanë kontestuar në Gjykatë, pa përfunduar ky proces Ministria e Drejtësisë, edhe përkundër vullnetit për të hapur konkurs sa më parë, një gjë e tillë aktualisht është e pamundur”.

“Ministria e Drejtësisë nuk ka informacione se në çfarë faze të trajtimit janë këto lëndë, por apelojmë që gjykata të veprojë sa më parë. Kjo është shumë e rëndësishme edhe për nevojat e qytetarëve por edhe për të ndaluar monopolin dhe për të qenë në përputhje me ligjin për noterinë”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni.

Sipas MD-së në Kosovë aktualisht janë 57 noterë, ndërsa në 15 komuna nuk ka noterë. Andaj, ata kanë caktuar ushtrues të detyrës për noterë derisa të caktohen të rinjtë.

“Në këto komuna Ministria e Drejtësisë ka caktuar ushtrues detyre të noterit me qëllim të ofrimit të shërbimeve për qytetarët e Republikës së Kosovës. Shumë prej qytetarëve janë ankuar për shkak të distancës fizike me noterët që ushtrojnë detyrën për komunat përkatëse por kjo është e vetmja zgjidhje që kemi për momentin”.