Ministri Tahiri: Qytetarët presin angazhim më të madh të Gjykatave pas dyfishimit të pagave

E publikuar: 11/01/2018 16:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i shoqëruar nga kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, kanë vizituar Gjykatën Themelore në Prizren, ku janë pritur nga kryetari i kësaj Gjykate, Ymer Hoxha.

Ministri Tahiri ka kërkuar më shumë përgjegjësi ndaj qytetarëve, pas dyfishimit të pagave dhe rritjes së numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që do të bëhet në pajtim me kërkesën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

“Sot gjyqtari i Republikës së Kosovës është një njeri me dinjitet, që e ka pagën më të mirën në rajon por ndoshta edhe më gjerë, dhe me të drejtë qytetarët presin një angazhim më të madh dhe fundi i 2018-s, ne do të jemi të gjithë bashkë dhe shpresojmë që do të kemi rezultate të prekshme në luftë kundër krimit, në luftë kundër korrupsionit, në luftë kundër së keqes dhe dukurie negative, dhe që ndërlidhet direkt me punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve” theksoi ministri Tahiri.

Kryesuesi i KGJK-së, Nehat Idrizi ka shprehur përkushtimin që viti 2018 të jetë vit i sundimit të ligjit. “Ky vit do të jetë vit i sundimit të ligjit, do të rrisim transparencën, llogaridhënien, efikasitetin dhe performancën e gjyqësorit” ka thënë ai.

Nga ana e tij, kryetari i Gjykatës në Prizren, z. Hoxha, u shpreh i kënaqur me mbështetjen që mori në shtimin e numrit të të punësuarve dhe zgjerimin e hapësirave të punës./lajmi.net/