Ministri Peci i ashpër me Naim Ismajlin: Kur flet edhe PDK-ja për korrupsion është “marrja e Zotit”

E publikuar: 22/01/2023 22:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Faton Peci

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i është përgjigjur Naim Ismajlit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i cili hodhi akuza për abuzim me mjete financiare në ministrinë të cilën e drejton Peci.

“Marrja rri e i zoti nuk e le”, nis postimi i Faton Pecit në Facebook.

“Na paska iluminuar PDK-ja se si duhet udhëhequr bujqësia”, vazhdon ai.

Më pas e pyet Ismailin se ku ka interferuar ai si ministër, teksa janë ekzekutuar 70 milionë euro grante e subvencione. Sipas tij këto janë ekzekutuar pa asnjë shkelje ligjore, me adresë tek bujqit meritorë e jo siç thotë ai “tek ata të xhipave, banesave e maleve për grurë”.

“Zyrtarë në burg e miliona para kesh, të kapura në flagrancë gjatë marrjes së rryshfetit në Ministrinë e Bujqësisë kanë autorë dhe ideatore PDK-në”, ka thënë Peci.

“Gjatë udhëheqjes suaj dekadëshe kani menaxhuar me bujqësinë në mjegull, dhe si mos më keq, duke mos aprovuar asnjë ligj të vetëm për 9 vite rresht”.

Ai po ashtu tha se “kur flet edhe PDK-ja për korrupsion dhe abuzime, marrja e Zotit”.

“Po patët dëshirë, do t’ua listoj shkeljet ligjore me dhjetra e qindra raste, me abuzime e shkelje ligjore në po aq raste me shifra milionëshe”, vazhdon ai.

“Aktualisht po merremi me pronat e vilat e ndërtuara në toka të shtetit e këtu, nuk i dihet, mbase dalin emra të njohur për PDK-në dhe gjithë Kosovën. Me fjalë të tjera, mos e shprushni marren”, ka deklaruar ministri i Bujqësisë. /Express