Ministri Mehaj: Kam një shtëpi, më mbet vetëm paga e ministrit

E publikuar: 29/06/2021 18:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë një sqarim lidhur me deklarimin e pasurisë së tij në kuadër të Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Mehaj deklaroi se ka vetëm një shtëpi dhe se pas daljes nga Ushtria, ai do të marrë pagë vetëm edhe pesë muaj nga Norvegjia.

“Sqarim për opinionin publik. Nga deklarata ime e pasurisë, e cila është publike dhe mund ta sheh çdokush, disa portale kanë nxjerrë tituj që nuk korrespodojnë me deklarimin tim për pasurinë. Në këto media shkruan se unë kam “3 banesa, 3 shtëpi dhe pagat nga Norvegjia”. KJO NUK ËSHTË E VËRTETË! E vërteta është se unë kam vetëm një shtëpi teksa banesën e kam shitur, ndërkohë të tjerat janë të prindërve, të cilat jam i obliguar t’i raportojë dhe janë të theksuara se kujt i përkasin. Në anën tjetër unë NUK i marrë disa paga. Pas lëshimit të Ushtrisë, unë marrë pagë vetëm edhe 5 muaj dhe kështu e vetmja pagë për mua mbetet kjo e ministrit në Qeverinë e Kosovës”, tha Mehaj.

Agjencia Kundër Korrupsionit ka publikuar dje pasurinë e zyrtarëve publik në Kosovë. Në kuadër të këtyre deklarimeve bën pjesë edhe vetë Mehaj.