Ministri Latifi viziton IKSHPK’në, flet për masat Anti-COVID

E publikuar: 10/01/2022 14:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i shoqëruar nga zëvendësministrat, Dafina Gexha-Bunjaku dhe Arsim Berisha qëndruan sot në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës. Ata u njoftuan nga drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, lidhur me punën e IKSHPK-së gjatë pandemisë COVID-19, aktivitetet e departamenteve aty dhe aktivitetet në vijim në mbikëqyrje të situatës epidemiologjike në vend. Ndërsa, gjatë vizitës, u fol edhe për masat Anti-COVID, raporton Gazeta Express.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në takim u theksua si shumë i rëndësishëm vaksinimi i popullatës si ndaj COVID-19 ashtu edhe ndaj gripit sezonal, zbatimi i masave në fuqi dhe mbikëqyrja e plotë e situatës epidemiologjike me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, në këtë kohë të qarkullimit të varianteve të ndryshëm të SARS COV-2, përfshirë edhe variantin shqetësues Omicron.

Ministri Latifi shprehu falënderimin e tij për punën që ka bërë IKSHPK gjatë pandemisë, derisa tha se nga zbatimi i masave në fuqi varen edhe vendimet në të ardhmen.

“Ministri Latifi theksoi se nga zbatimi i masave në fuqi varen edhe vendimet në të ardhmen, prandaj, ai theksoi se shëndetit të qytetarëve është prioritet i parë për MSh-në, pa lënë anash edhe funksionimin e veprimtarive të tjera të rëndësishme ekonomike, sociale, kulturore…, të cilat janë të ndërlidhura me zbatimin e masave kundër COVID-19. Ministri gjatë vizitës në IKSHPK ka qëndruar edhe në laboratorët e Institutit si dhe ka diskutuar me drejtuesit e IKSHPK-së edhe për aktivitete të tjera të rëndësishme që ky institute kryen, përveç fokusit në COVID-19”, thuhet nga MSH.