Pal Lekaj priti në takim Ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe Drejtorin e Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni

E publikuar: 27/12/2017 14:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i i Infrastrukturës, z. Pal Lekaj, priti sot në takim Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Flamur Sefaj, Drejtorin e Policisë së Kosovës, z. Shpend Maxhuni, dhe Drita Perezic, këshilltare e lartë ekzekutive e MPB-së nga ICITAP.

Këtë takim Ministri Lekaj e ka ftuar që të bisedohet dhe të nënshkruhet deklarata për rritjen e sigurisë dhe standardeve në komunikacionin rrugor.

Me këtë rast Ministri Lekaj deklaroi: “Sot prita në takim Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Flamur Sefaj dhe Drejtorin e Policisë së Kosovës, z. Shpend Maxhuni, me të cilët biseduam për çështje të interesit të përbashkët dhe nënshkruam deklaratën për rritjën e sigurisë dhe standardeve të komunikacionit rrugor, kështu duke e shpallur vitin 2018 si vit të sigurisë dhe stadardeve në komunikacion. Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që ka Ministria e Infrastrukturës në shumë çështje që kanë të bëjnë me sigurinë në komunikacionin rrugor dhe është vërtet shqetësuese numri i madh i aksidenteve që kanë ndodhur këtë vit, me theks aksidentet fatale, ku humbja e jetërave të njerëzve ka arritur në 135. Faktorët janë të shumtë, e ndër ta edhe mungesa e sinjalizimit të rrugëve, ndriçimit dhe standardeve që ne ju ofrojmë qytetarëve. Ne kemi punuar në drejtim të realizimit të kushteve të duhura për të pasur një sinjalizim në nivelin e duhur, por në këtë kanë ndikuar procedurat sipas Ligjit të Prokurimit Publik. Brenda këtij viti do të përmbyllim anën teorike të projektimit për investime në infrastrukturë, sinjalistikë vertikale dhe horizontale dhe në ndriçim. Nga viti i ardhshëm do të fillohet në mënyrë uniforme implementimi i këtyre projekteve. Duke qenë se për ne është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Brendshme, sidomos me Policinë e Kosovës, sot nënshkruam Deklaratën e Përbashkët të Zotimit që nga viti i ardhshëm të kemi siguri më të madhe në rrugë për qytetarët.”

Ndërsa Ministri Sefaj, theksoi se që nga marrja e mandatit të tij si Ministër i MPB-së, ka qenë një ndër prioritet kryesore ulja e numrit të aksidenteve fatale dhe aksidenteve me dëme materiale. Ai tha se MPB do të përkrahë këtë iniciativë dhe për këtë duhet të përfshihen edhe institucionet relevante, sidomos Ministria e Diasporës për shkak se është shumë e nevojshme të njoftohen edhe qytetarët tanë të cilin vijnë në Kosovë, ngase, sipas statistikave, gjatë sezonave të pushimeve dhe festive ka rritje të aksidenteve në trafik.

Në anën tjetër Drejtori i Policisë së Kosovës, z. Maxhuni, vlerësoi se sa i përket aksidenteve në trafik, gjendja nuk është mirë edhe pse kjo është një sfidë globale. Tek ne nuk është marrë shumë seriozisht ndjesia e gjendjes në trafik dhe në këtë mision Policia e Kosovës ka qenë e vetme edhe pse ligji i definon obligimet e secilit institucion, të cilat nuk kanë pasur as gatishmëri as iniciativë. Ai tha se problem është edhe infrastruktura sipas teknologjisë dhe për këtë duhet të vendosen radarët statik të cilët janë të gatshëm të faktojnë dhe dëshmojnë për secilën shkelje në komunikacion. Maxhuni vlerësoi se gjatë këtij viti në Kosovë kanë ndodhur 16,122 aksidente në komunikacion. Një nga faktorët që do të ndikonte në ngritjen e sigurisë në komunikacion do të ishte ngritja e vlerës së gjobave për kundërvajtje.

Në fund të këtij takimi u nënshkrua deklarata në mes të Ministrisë së Infrastrukturës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës.

Në deklaratën e nënshkruar në mes tjerash thuhet: Viti 2018 do të jetë viti i sigurisë dhe i standardeve në trafikun rrugor. Për këtë qëllim palët deklarohen se do të angazhohen për: përmirësimin e rrjetit të sinjalizimit dhe të ndriçimit në të gjitha rrugët nën përgjegjësi të Ministrisë së Infrastrukturës; miratimi i të gjitha rregullave dhe standardeve të sigurisë për kontrollin teknik të automjeteve; ngritja e efikasitetit të mbikëqyrjes së funksionimit të njësive për patent shofer; miratimi i rregullave dhe standardeve për kontrollin e sigurisë së pjesëmarrësve në trafik; ngritja e numrit të kontrollit të pjesëmarrësve në trafikun rrugor dhe të kontrollit të sigurisë së automjeteve.

Të gjitha këto dhe të tjera aktivitete, bazuar në Ligj, do të ndërmerren për të ofruar siguri në trafik për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për të gjithë personat tjerët që lëvizin në rrugët e Republikës së Kosovës./Infosot/