Ministri Berisha priti në takim ambasadorin slloven Bertoncelj

E publikuar: 10/10/2017 15:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës zotëri Rrustem Berisha priti në takim ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në Republikën e Kosovës, zotëri Bojan Bertoncelj, shkruan infosot.
Në takimin e përbashkët të ministrit Berisha dhe diplomatit slloven Bertoncelj u fol, veç tjerash, për marrëdhëniet e mira ndërshtetërore në mes të Kosovës dhe Sllovenisë dhe me theks të veçantë për bashkëpunimin dypalësh ndërmjet MFSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Sllovenisë.
Ministri Berisha fillimisht e falënderoi ambasadorin slloven për mbështetjen e Kosovës nga vendi i tij në fushën politike dhe të sigurisë. Ai po ashtu i konfirmoi ambasadorit Bertoncelj gatishmërinë e tij për thellimin e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen.
Ministri Berisha gjatë takimit u fokusua tek çështja e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura si dhe shprehu gatishmërinë që procesi të bëhet me ndryshime kushtetuese dhe në transparencë të plotë me NATO-n dhe partnerët strategjikë, duke e ri-konfirmuar se Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë kontribuuese të paqes dhe në dobi e në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit.
Ndërkaq, ambasadori slloven Bojan Bertoncelj shprehu gatishmërinë e Sllovenisë jo vetëm për të thelluar bashkëpunimin me Kosovën, por edhe për të qenë e angazhuar në Kosovë edhe më tutje për ta mbështetur në agjendën e saj evropiane.