Meta merr përsipër zbardhjen e vdekjes së shqiptarit në Francë, trupi sa më shpejt në atdhe

E publikuar: 23/12/2017 17:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rasti i rëndë i shqiptarit të masakruar dhe që vdiq mbrëmë në një spital në Marsejë pasi qëndroi disa ditë në vdekje klinike, ka prekur edhe Presidentin e Republikës Ilir Meta.

Zëdhënësi i kreut të shtetit, Tedi Blushi, bisedoi me familjarët e Florenc Beqiraj, u shprehu ngushëllimet e Presidentit Meta e njëkohësisht u bëri me dije mbi interesimin e tij për sqarimin e rrethanave që çuan në humbjen e jetës së Florencit.

Zëdhënësi informon se Presidenti Meta bisedoi me Ambasadorin e Shqipërisë në Francë për të mundësuar sjelljen e trupit të tij të pajetë në Shqipëri në një kohë sa më të shpejtë.

23-vjeçari shkodran, familja e të cilit jetonte në Mal të Zi, kishte 2-3 vite që ishte në Francë ku kishte nisur procedurat për përfitimin e azilit ekonomik. Ai u ndalua nga policia për mungesë të dokumentacioneve, qëndroi më gjatë në paraburgim, dhe dy ditë para se ta dërgonin për në Shqipëri, ai u gjet i masakruar në polici.

I riu u dërgua në spital në gjendje të rëndë, me shenja në duar dhe një shenjë prerje teli në fyt, ndërsa nuk doli asnjë ditë nga koma. Sipas spitalit ai ishte në vdekje klinike dhe se duhej vetëm konfirmimi i prindërve të tij për të bërë të mundur fikjen e aparaturave që e mbanin gjallë.

Por babai i tij që mbërriti në Francë dhe u gjend pranë djalit në spital nuk e dha kurrë këtë aprovim, dhe mbrëmë kur Florenci u nda nga jeta, ai hodhi akuza të rënda se spitali i hoqi aparaturat pa lejen e tij. Familja Beqiraj ngre dyshime se pas masakrimit të djalit të tyre nuk qëndron versioni i vetëvrasjes siç raportojnë autoritetet atje, por se dikush e ka vrarë Florencin 23-vjeçar. Shkodrani punonte kamerier dhe jetonte në një banesë në Marsejë së bashku me një shokun e tij, gjithashtu shqiptar.

Në një intervistë ekskluzive për Express, motra e tij tha se Florenci nuk kishte konflikte me asnjë person, dhe se gjendja që ai ishte, nuk mund të ishte shkaktuar nga vetë Florenci, Për këtë ajo kërkoi ndërhyrjen e shtetit shqiptar për të mësuar së çfarë kishte ndodhur me vëllain e saj të vogël, djalin e vetëm të familjes Beqiraj. /Gazeta Express