Mesazhi i Ademit para fillimit të sezonit në Superligën e Kosovës

E publikuar: 21/08/2021 10:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot starton edicioni i ri në Superligën e Kosovës.

Gjithçka është bërë gati për fillimin e sezonit 2021/22 në elitën e futbollit kosovar, shkruan lajmi.net.

Risi e madhe e këtij edicioni do të jetë përdorimi i sistetimit VAR, që është inauguruar në ndeshjen e Superkupës mes Prishtinës dhe Llapit.

Të gjitha 10 ekipet e ligës kanë bërë përforcime dhe janë gati për të nisur sezonin.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka dhënë një mesazh përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook para fillimit të Superligës.

Postimi i plotë i Agim Ademit pa ndërhyrje:

Të nderuar futbollistë, trajnerë, drejtues klubesh e sponsorë!

Të nderuar gjyqtarë, delegatë e vëzhgues!

Të dashur tifozë!

Sot po e nisim një tjetër edicion të ri të futbollit në vendin tonë. Pas një periudhe të gjatë me stadiume të boshatisura, tani na gëzon fakti se kampionatin e ri po e fillojmë me praninë e tifozëve në tribuna, ndonëse ende me numër të reduktuar si pasojë e pandemisë COVID-19.

Jam i lumtur që sot po nis një epokë e re në futbollin tonë, pasi të gjitha ndeshjet e Superligës do të luhen me sistemin VAR. Këtë projekt e nisa me përkushtim në fillim të vitit dhe ndonëse kishte zëra skeptikë për implementimin e tij, falë punës së shkëlqyeshme të të gjithë të përfshirëve në këtë projekt arritëm që në kohë rekord prej 6 muajsh ta marrim licencën nga FIFA për përdorim të VAR-it në edicionin e ri të garave. Kjo pa dyshim se është një e arritur e madhe e institucionit që e drejtoj dhe një mundësi për evoluim të mëtutjeshëm të futbollit tonë. Ky projekt do të jetë një ndihmesë e madhe për gjyqtarët, pasi do të shmangen gabimet gjatë kryerjes së detyrës së tyre në fushën e gjelbër.

Një tjetër fakt që e bën këtë edicion të veçantë është edhe pjesëmarrja e katër klubeve në garat evropiane nga edicioni i ardhshëm. Pra, tani krahas kampionit e nënkampionit, një vend në Evropë e siguron edhe pozita e tretë në Superligë, si dhe fituesi i Kupës. Kjo e bën garën dukshëm më interesante e më të paqartë, por njëherësh kontribuon edhe në rritjen e cilësisë.

Paraqitja e klubeve tona në garat e sivjetme evropiane dëshmoi se jemi në rrugën e duhur. Progresi është evident, por kjo nuk duhet të na kënaq. Duhet të vazhdojmë të rritemi qoftë në aspektin organizativ e infrastrukturor, e qoftë në aspektin e cilësisë së lojës së futbollit. Talentin dhe mundësitë i kemi, derisa në vullnetin dhe dëshirën e gjithsecilit që është pjesë e klubeve nuk e kam as më të voglin dyshim. Prandaj, së bashku mundemi dhe duhet ta çojmë futbollin tonë në një nivel më lart, për t’i dhënë një të ardhme edhe më të mirë kësaj loje magjike për brezat e rinj.

Gjatë kësaj vere edhe klubet kanë punuar intensivisht për t’u përgatitur sa më mirë për kampionatin e ri, por tani i mbetet fushës së gjelbër për të dëshmuar punën e secilit. Ne, si KE i FFK-së, kemi punuar në afrimin e sponsorëve të rinj, derisa kemi siguruar një kontratë joshëse për pakon e drejtave televizive të Superligës dhe Ligës së Parë, mjete të cilat në tërësi u takojnë klubeve. Gjithashtu, organet tona kanë punuar në përgatitjen e rregulloreve të reja dhe do të punojnë në vazhdimësi me zell e përkushtim për të qenë sa më korrekt në punën dhe vlerësimin e tyre.

Numri në rritje i rasteve me koronavirus na obligon që ta respektojmë në mënyrë strike protokollin shëndetësor për mbrojtje nga virusi. Pra, gjithsecili duhet të jemi të kujdesshëm për veten tonë dhe për njëri-tjetrin, pasi kjo do të na ndihmojë që në të ardhmen t’i rikthehemi më shpejtë normalitetit dhe stadiumet të jenë të mbushura me tifozë me kapacitet të plotë.

Uroj që në këtë edicion të mbizotërojë ‘fair-play’ dhe të kemi sa më shumë spektakël e emocione në stadiumet tona. Po ashtu, uroj që sa më shumë talente të dalin në sipërfaqe dhe të lënë gjurmët e tyre në këtë kampionat.

Edhe një herë urime dhe suksese të gjitha klubeve dhe të gjithë pjesëmarrësve në garën e futbollit!

Na priftë e mbara!

Me respekt,

A.A.