​Memli Krasniqi e quan të dështuar vizitën e Albin Kurtit në SHBA

E publikuar: 31/05/2022 21:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e cilëson të dështuar vizitën e kryeministrit Albin Kurti në SHBA.

“Askënd nuk e ka takuar në Shtëpinë e Bardhë. Sullivan si këshilltar i Presidentit Biden për siguri, është njeri me rëndësi. Por nuk e ka takuar Kurtin në Shtëpinë e Bardhë”, tha Krasniqi në një intervistë për RTK-në.

Ai bën një krahasim.

“Për dallim nga z. Kurti, ne kemi hyrë në Shtëpinë e Bardhë edhe jo një herë, por disa herë. Ju siguroj se ajo fotografi te ato shkallë, nuk është Shtëpia e Bardhë, por një aneks jashtë kompleksit të Shtëpisë së Bardhë”, theksoi Krasniqi.

Sipas tij, këshilltari Sullivan dhe çdo këshilltar në Shtëpinë e Bardhë, zyrën e vet ku punon e ka në Shtëpinë e Bardhë.

“Kjo pjesë ku ishte z. Kurti është njëfarë kompleksi ekzekutiv ku punon stafi dhe aty shkojnë edhe zyrtarë shumë të ultë se Kurti. Në të njëjtën kohë, ka qenë edhe kryeministri i Greqisë dhe e keni parë se ka qenë me bashkëshorten në Shtëpinë e Bardhë, ku është pritur nga Presidenti dhe zyrtarë të tjerë të lartë”, tha ai.

Kryetari i PDK-së thotë se Kosova nuk e pati kryeministrin as në Shtëpinë e Bardhë dhe as në Departament të Shtetit. E kjo, thotë ai, për ata që marrin vesh e duan të shohin, është shqetësim, jo për Kurtin, por për vendin.

“I kanë shkruar 50 kërkesa për takime, por nuk kanë marrë përgjigje. E përse, as unë nuk e di përgjigjen përse nuk po e takojnë”, u shpreh ai.

Sipas Krasniqit, Kurti nuk po e përfaqëson vetën.

“Ama është shqetësim. Nuk është problemi tek Albin Kurti, por tek ai si kryeministër i Kosovës. Ai nuk e përfaqëson veten, por shtetin tonë”.

Krasniqi rikujton se presidentët dhe kryeministrat e Kosovës në të kaluarën, kur kanë shkuar në SHBA, pesë ditë kanë qëndruar ose më së shumti gjashtë ditë me gjithë rrugë, dhe kanë shkuar në Shtëpi të Bardhë e në Departamentin e Shtetit.

“Unë kam qenë vetë dy herë dhe atë si pjesë e delegacionit të ish kryeministrit Thaçi e jemi takuar edhe më zëvendës presidentin që tani është president i SHBA-së, Biden”, risjellë në vëmendje Krasniqi.

“Por në raste të tjera është takuar me zëvendës presidentë të tjerë si me z. Pence, ose së paku me Sekretarin e Shtetit, qoftë me Popmeon apo në kohë të caktuar me znj. Clinton, e të tjerë që ishin në këto pozita”.

Sa për investimet që Kurti ka thënë se do të mund të vijnë nga SHBA në Kosovë, Krasniqi u shpreh se për të shpresuar se kjo do të ndodhë, dikush edhe mund të shpresojë.

“Por këto nuk bëhen kështu, duke vizituar kampuse për gjysmë ore e pa plan konkret. Si mund t’iu thuash kompanive miliardësh, se mirë do të ishte të vinit nga Kosova se kemi nevojë për ju?”, deklaroi Krasniqi.