Mehaj pret në takim Ademin, diskutojnë për ndeshjen e FSK-së me Ushtrinë e Shqipërisë

E publikuar: 03/03/2023 16:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi është pritur në takim nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, me të cilin ka diskutuar për ndeshjen e futbollit në mes FSK-së dhe Ushtrisë së Shqipërisë për nder të Epopesë së UÇK-së.

Ademi potencoi se FFK do të jetë mbështetëse e këtij eventi me të gjitha kapacitetet e saj sportive.

“Sot pata kënaqësinë të pritesha nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në një ambient të ngrohtë dhe tejet miqësor. Zhvilluam bisedë mjaft interesante dhe frymëzuese për futbollin dhe bashkëpunimin tonë në sport”, ka theksuar Ademi.

“Diskutimi ynë u fokusua në ndeshjen e futbollit ndërmjet FSK-së dhe Ushtrisë së Shqipërisë, për nder të Epopesë së UÇK-së, e cila do të zhvillohet në Kampin Nacional në Hajvali, më 7 mars në orën 13:00”.

I pari i FFK-së tregoi se u dakorduan me ministrin e mbrojtjes edhe për nënshkrimin  e një Memorandumi të Bashkëpunimit në aspektin sportiv.

“Ministri Mehaj ishte shumë entuziast dhe shprehu mirënjohjen e tij për këtë bashkëpunim, derisa u dakorduam edhe për nënshkrimin e një Memorandumi të Bashkëpunimit në aspektin sportiv”, u shpreh ai.

“Ky memorandum do të mundësojë organizimin e turneve të përbashkëta në të ardhmen dhe shfrytëzimin e aseteve të të dy institucioneve”.

“Më impresionoj fakti që ministri Mehaj ishte shumë i interesuar për sportin dhe për bashkëpunimin e ndërsjellë. Ai dëgjoi më vëmendje vizionin tim për të ardhmen e futbollit të Kosovës dhe më motivoi për të bërë edhe më shumë në fushën sportive”.