Mehaj: Mbështetja nga SHBA-të, e pazëvendësueshme në proceset tona zhvillimore aktuale dhe të së ardhmes

E publikuar: 13/06/2022 13:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë që mbështetja e SHBA-ve është e pazëvendësueshme në proceset tona zhvillimore aktuale dhe ato në të ardhmen.Mehaj përmes një postimi në Facebook, tha që është takuar me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, i shoqëruar nga atasheu amerikan i mbrojtjes, Kolonel Stephen Rose.

Ai tutje tha që me ambasadorin Hovenier kanë diskutuar për zhvillimet aktuale në mjedisin e sigurisë rajonale dhe më gjerë, mbështetjen si dhe “aktivitetet e përbashkëta në mes dy vendeve dhe forcave tona”.“Mirënjohje e thellë për SHBA-në në mbështetjen e pazëvendësueshme për Kosovën në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e gjithmbarshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Mbështetja e deritashme e SHBA-së është jetike në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të ndërveprueshme me forcat aleate të vendeve partnere dhe anëtare të NATO-së, për pjesëmarrjen e FSK-së në operacione jashtë vendit së bashku me forcat ushtarake amerikane dhe forcat aleate të saj. Bashkëpunimi bilateral në mes dy vendeve tona ka në prioritet shërbimin efektiv ndaj paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale e globale”, tha ai.