Mehaj fton të rejat të aplikojnë për t’u bërë pjesë e ushtrisë së Kosovës

E publikuar: 10/01/2023 17:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i ka ftuar të gjitha të rejat që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e Ushtrisë së Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook ku Mehaj ndër të tjera ka shkruar se pjesëmarrja e gruas në ushtrinë e Kosovës është tejet e rëndësishme

“Pjesëmarrja e gruas në ushtrinë e Republikës së Kosovës është tejet e rëndësishme, ngase barazia është themeli i çdo shteti, dhe përbërja e ushtrisë duhet të reflektoj përbërjen e popullsisë, por mbi të gjitha ngase atdhedashuri nuk njeh gjini”.

“Në kuadër të frymës së bashkëpunimit në takim me organizatat joqeveritare që trajtojnë barazinë gjinore, biseduam dhe për fushatën aktuale të rekrutimit, rëndësisë së njoftimit të të rejave për mundësitë që ofron FSK në zhvillimin e karrierës nën emblemën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, që simbolizon ëndrrën e dëshmorëve të rënë për lirinë e vendit, por dhe guximin e brezave të rinj e krenarinë e popullit”.

Tutje, Mehaj shton se gra dhe burra të këtij vendi qëndrojnë bashkë në konsolidimin e ushtrisë së Kosovës në standardet e NATO-s.

“Ashtu siç përherë të rinjtë e të rejat e këtij vendi, populli ynë i dashur ka ditur të kontribuoj pakursyer deri në vetëmohim për lirinë që tejkalon kuptimin metafizik, për sigurinë që duhet ta ndiej secili për veten e tij dhe brezat e ardhshëm, për atdheun që territorialisht përkufizon dhe ndjenjat më sublime të popullit”.

“Andaj, ftojmë të gjitha të rejat e interesuar që t’i dedikohen këtij profesioni fisnik, të aplikojnë për t’u bërë pjesë e ushtrisë. Bashkë drejt anëtarësimit në NATO”, ka shkruar Mehaj.