Më 3 shkurt mbahet seanca për formimin e Qeverisë

E publikuar: 31/01/2020 09:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ka mbajtur mbledhjen e saj ku në rend dite pati caktimin e seancës plenare për votimin e Qeverisë së re të vendit.

Pas kësaj mbledhje e cila ka zgjatur fare pak minuta, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka bërë të ditur se seanca plenare për formimin e Qeverisë do të mbahet më 3 shkurt.

“Mandatari për formimin e Qeverisë, z. Albin Kurti ka kërkuar që më datën 3 shkurt në orën 11:00 të mbahet seanca për formimin e Qeverisë dhe kryesia vendosi njëjtë që të respektohet kjo kërkesë”, ka thënë Konjufca.

I pyetur rreth bisedimeve me LDK-në, Konjufca ka thënë se bisedimet po vazhdojnë dhe ende nuk ka ndonjë marrëveshje.

“Jam optimist që marrëveshja do të bëhet dhe askush nuk do ta ndalë formimin e qeverisë Kurti”, u shpreh Konjufca.

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit u mbajt pas kërkesës së mandatarit për formimin e Qeverisë, Albin Kurti.