MBPZHR finalizon Udhëzimin Administrativ për Pagesa Direkte në Bujqësi

E publikuar: 31/08/2021 16:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar se ka finalizuar Udhëzimin Administrativ për Pagesa Direkte në Bujqësi për vitin 2021, njofton Klankosova.tv.

Finalizohet Udhëzimi Administrativ për Pagesa Direkte në Bujqësi për vitin 2021 Prishtinë, 31 gusht 2021 – Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka finalizuar Udhëzimin Administrativ për Pagesa Direkte në Bujqësi për vitin 2021.

Qëllimi i këtij Udhëzimi Administrativ është që të përcaktojë rregullat, kriteret e pranueshmërisë dhe procedurat e përkrahjes për fermerët aplikues, si dhe zbatimin e pagesave direkte në bujqësi për vitin 2021.

Ky akt normativ i rëndësisë së veçantë për realizimin e Programit të Pagesave Direkte për vitin 2021 mori formën finale duke iu nënshtruar kështu të gjitha procedurave ligjore deri në finalizimin e plotë të tij, ku vlen të theksohet se janë inkorporuar edhe komentet e shoqërisë civile dhe të palëve të tjera të interesit të cilët gjatë procesit të konsultimit publik, kontribuuan në plotësimin e tij deri në finalizimin e këtij dokumenti.

Nga ana tjetër ky, Udhëzim Administrativ hyn në fuqi shtatë ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare, ku edhe do të hapet mundësia për aplikim për të gjithë fermerët e interesuar që të aplikojmë dhe të përfitojnë nga Programi i Pagesave Direkte për vitin 2021.

Ndryshe, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci në fund të muajit korrik ka nënshkruar Programin për Pagesa Direkte – Subvencione për vitin 2021, ku përkrahja financiare vetëm për këtë vit kalendarik për fermerët në kategorinë e subvencioneve arrin vlerën e rreth 50 milionë eurove.