Mbledhja e dy qeverive, Policia njofton për mbyllje të disa rrugëve për sot e nesër

E publikuar: 19/06/2022 13:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të hënën do të mbahet mbledhja e përbashkët mes dy qeverive, të Kosovës dhe të Shqipërisë. Lidhur me këtë, Policia e Kosovës ka njoftuar se do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mbajtjen e rendit e qetësisë publike.

Sipas njoftimit, sot në orët e pasdites dhe nesër do të ketë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohorë të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojnë delegacionet.

“Në kohën e ardhjes së përfaqësuesve shtetërorë nga Shqipëria, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim, Policia e Kosovës, sot në orët e pasdites (19.06.2022) dhe nesër (20.06.2022) sipas itinerarit të lëvizjes së personaliteteve/delegacioneve do të bëjë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojnë delegacionet. Për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet ndër tjerash në njoftim.