MASHT-i ofron mbështetje për Fakultetin e Edukimit në realizimin e projekteve hulumtuese

E publikuar: 03/03/2023 11:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, bashkë me rektorin e Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi dhe dekanin e Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi në fushën e zhvillimit profesional të mësimdhënësve, drejtorëve të shkollave dhe profesionistëve të tjerë arsimor në Kosovë.

Nagavci përmes një statusi në Facebook, ka bërë të ditur që marrëveshja ka për qëllim implementimin e aktiviteteve të përbashkëta në zhvillimin profesional të personelit të institucioneve të arsimit parauniversitar dhe hulumtimit shkencor në fushat përkatëse.

Tutje Nagavci thotë që me këtë marrëveshje, MASHT-i do të ofrojë mbështetje për Fakultetin e Edukimit në planifikimin dhe realizimin e projekteve hulumtuese me bazë në shkollë dhe komunitet që shërbejnë për zhvillimin e cilësisë së mësimdhënies në institucionet e arsimit parauniversitar.

“Ndërkaq, Fakulteti i Edukimit organizon zbatimin e programeve të zhvillimit profesional për mësimdhënës, drejtorë të shkollave dhe profesionistë tjerë arsimor në tematikat e cilësuara me interes për zhvillimin e institucioneve arsimore dhe përmirësimin e cilësisë në arsim”.