Martin Berishaj kishte cituar akademikun famëkeq serb Çosiq në punimin e diplomës

E publikuar: 02/03/2023 12:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në faqen e tretë të punimit të temës së diplomës të ambasadorit Martin Berishaj, citohet një thënie e akademikut famëkeq serb, Dobrica Cosiq, shkruan Paparaci.

Berishaj, aktualisht ambasador i Kosovës në Kroaci, kishte diplomuar në Fakultetin e Sociologjisë në Universitetin e Lubjanës më 1986

Në temën e diplomës së titulluar “Kuptimi Ndërnacional i Lidhjes së Prizrenit”, akademiku dhe shkrimtari serb Dobric Cosiq citohet në një kontekst fetar nga autori i punimit, Martin Berishaj.

“Është e dhimbshme që me vet lindjen të jesh i detyruar në mënyrë të pakthyeshme ndaj të vdekurve. Edhe me dhimbshme është të jesh për dikë fajtor për gjithçka, sepse je djali, nipi, pasardhësi i atyre të cilët në mënyrë magjepse dhe këmbëngulëse dhe iluzioniste kanë luftuar për liri dhe bashkim”, citohet Cosiq nga Berishaj në punimin e temës së diplomës.

Dobrica Cosiq, i cituar nga Berishaj në punimin e tij të diplomës, është akademik dhe aktualisht shkrimtari më i njohur serb. Ai, është i njohur për shprehje të gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Në vitin 2009, Cosiq është paditur nga Komiteti i juristëve për të drejtat e njeriut dhe komiteti i Helsinkit në Beograd për shkak të nxitjes së urrejtjes kombëtare, fetare dhe racore kundër shqiptarëve të Kosovës, në librin e tij “Koha e gjarpërinjëve”.

Në këtë vepër, Cosiq paraqet në mënyrë të vrazhdë nacionalizmin e ngjarjeve të viteve 1999-2000. Dhe, në faqen 211, shqiptarët i quan; “fundërrinë sociale, politike dhe morale”, ndërsa serbët “popullin më të qytetëruar, më të arsimuar të Ballkanit”.

Në hyrjen e temës së diplomës së Ambasadorit Berishaj trajtohet perceptimi në ish-Federatën Jugosllave mbi Lidhjen e Prizrenit.

“Viteve të fundit te ne Lidhja i Prizreni trajtohet si organizatë ushtarako – politike kundër jugosllave e cila ka për qëllim krijimin e Shqipërisë së Madhe. Sidomos, pas demonstratave kosovare më 1981, Lidhja e Prizrenit është cilësuar prej disa ‘historianë’ si kundër vetëqeverisëse”, shkruan autori Martin Berishaj.

Sipas Berishajt, arsyeja e cilësimit të Lidhjes së Prizrenit si “kundër vetëqeverisëse” është mohimi i Lidhjes së Prizrenit, për të cilën ai thotë se “edhe unë qëndroj në ato pozita se është kundër ugosllave dhe kundër vetëqeverisëse”.

“Arsyeja është mosnjohja e Lidhjes së vërtetë të Prizrenit, dhe gjithsesi njohja e Lidhjes së “Dytë” të Prizrenit e cila e cila është formuar në vitin 1943 nga ana e organizatës Balli Kombëtar për të cilën edhe unë qëndroj në ato pozita se është kundër jugosllave dhe kundër vetëqeverisëse”, shkruan ai.

Martin Berishaj, dyshohet se është i përfshirë në një skandal financiar për shpëlarje parash në Slloveni.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci dyshohet se ka transferuar rreth 600 mijë euro kesh nga xhirollogaria e tij bankare në Mal të Zi për tek politikani slloven, Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.

Paparakisht, mjetet financiare, kompania MB Consulting, në pronësi të Berishajt, i kishte pranuar nga një kompani energjetike serbe, GEN./Paparaci/