Maqedonia sot do ta tejkalojë edhe një pengesë drejt BE-së

E publikuar: 01/08/2017 12:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministrat e Maqedonisë dhe Bullgarisë, Zoran Zaev dhe Bojko Borisov, sot në Shkup do ta nënshkruajnë Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim.

Në orën 12:35 është paraparë takim tet-a-tet mes Zoran Zaevit, kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Bojko Borisovit, kryetar i Qeverisë së Republikës së Bullgarisë, ndërsa anëtarët e delegacioneve të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Qeverisë së Republikës së Bullgarisë do të kenë takim bilateral në orën 12:55.

Në orën 13:35 do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë nga ana e Zoran zaevit, kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Bojko Borisovit, kryetar i Qeverisë së Republikës së Bullgarisë.

Si pjesë përbërëse e kësaj ceremonie janë edhe Memorandumet për bashkëpunim që do të nënshkruhen nga ana e Ministrive të resorit, të Transportit, respektivisht Energjetikës dhe Ekonomisë, më pas nënshkrimi i Memorandumit për bashkëpunim ndërmjet Minsitrisë së Transportit, TIK dhe Komunikimeve të R. së Bullgarisë dhe Minsitrisë së Transportit dhe Lidhjeve të R. së Maqedonisë për zhvillimin e infrastrukturës hekurudhore dhe lidhjes ndërmjet vendeve, si dhe nënshkrimi i Memorandumit për bashkëpunim në sferën e gazit natyror ndërmjet R. së Bullgarisë dhe R. së Maqedonisë.

Njohësit e rrethanave politike këtë Marrëveshje e quajnë shumë të guximshe nga ana e Kryeministrit Zaev, edhe pse nuk është i favorshëm për të nga ana e interesave partiake sepse do të sulmohet ashpër nga VMRO-ja opozitare.

Profesori universitar Mersel Bilalli për Zhurnal ka deklaruar se ky është një hap tejet i guximshëm por jo aq i favorshëm nëse shihet në aspektin e interesave partiake të Kryeministrit Zaev.

Profesori Bilalli madje këtë hap e quan grandioz sa u përket interesave të përgjithshme të qytetarëve të Maqedonisë. Sipas tij me këtë Marrëveshje jepet impuls i fuqishëm në Uashington dhe Bruksel se shteti dëshiron të çlirohet nga e kaluara disi e rejshme drejtë të ardhmes së vërtetë.

“Mendoj se fjala është për një hap tejet të guximshëm dhe jo aq të favorshëm nëse shifet nga aspekti i interesave partiake. Por, sa u përket interesave të përgjithshme qytetare, ky hap me të vërtetë është grandioz. Së pari, jepet impuls i fuqishëm në Uashington dhe Bruksel se shteti dëshiron të çlirohet nga e kaluara disi e rejshme drejtë të ardhmes së vërtetë. Sikur çlirohet nga nacionalizmi manipulues pas të cilit fshehet krimi i organizuar, të cilën thellë e ka mbjellë DPMNE-ja. Pra, me këte sikur dëshirohet t’u jepet shansë qytetarëve, kompanive, zhvillimit në përgjithësi, duke rrezikuar sulme gjoja patriotike nga patriotët e parave”, ka deklaruar Bilalli duke shtuar se tanimë Greqia dukshëm do të izolohet pasi mbetet e vetme në situatë kur edhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare qëndron pas kësaj politike, shkruan Zhurnal.