Maliqi: Personat me aftësi të kufizuar vazhdojnë të jenë të diskriminuar

E publikuar: 03/12/2020 14:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, HANDIKOS ka mbajtur konferencë lansuese të raportit vlerësues mbi qasjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në ndërtesat shkollore të nivelit fillor dhe të mesëm të ulët në Kosovë.

Drejtori i HANDIKOS-it, Afrim Maliqi ka thënë se personat me aftësi të kufizuar vazhdojnë të jenë të diskriminuar në shoqërinë tonë.
“Ne po shënojmë këtë vit Ditën e personave me aftësi të kufizuar ndryshe nga vitet e kaluara për shkak të pandemisë, andaj po mbajmë këtë konferencë në formë më ndryshe. Në bazë të përvojave kemi vlerësuar se janë tri lloj të diskriminimeve ndaj personave me aftësi të kufizuar: diskriminimi i parë është paragjykimet që ekzistojnë ndaj personave me aftësi të kufizuar, të cilat shkaktojnë frikë dhe izolim të vetë personave me aftësi të kufizuar dhe te familjet e tyre. Diskriminimi i rrethit apo ambientit. Ndërtesat, rrugët, trotuaret dhe transporti nuk janë të dizajnuara sipas nevojave të cilat këtyre personave iu përshtaten dhe diskriminimi institucional, ku ligjet apo udhëzimet administrative nuk zbatohen apo nuk i marrin parasysh të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”, ka thënë Maliqi.

Maliqi ka thënë se pak flitet për arsye se institucionet e tona që nga Qeveria dhe institucionet e tjera lokale nuk i kanë përfshirë personat me aftësi të kufizuara në hartimin e planeve dhe në përgjigje ndaj personave me aftësi të kufizuara në situatën e pandemisë.

Ai tha se një hulumtim i kryer nga Handikos tregon se personat me aftësi të kufizuar kanë një përqindje të vogël sa i përket qasshmërisë së tyre.

“Ne kemi bërë një hulumtim ku është krahasuar legjislacioni i Kosovës në raport me legjislacionin evropian, Konventën e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, qëllimet e mijëvjeçarit dhe duke marrë parasysh gjithçka që është e shkruar në Kosovë sa i përket personave me aftësi të kufizuara dhe si rezultat del se Kosova vetëm 30 për qind ka të shkruar në dokumentacione apo në ligje dhe dokumente tjera strategji sa i përket personave me aftësi të kufizuar, ndërsa sa i përket qasjes vetëm 6.7 për qind”, ka thënë Maliqi.

Ndërsa ministri Ramë Likaj ka thënë se Ministria e Arsimit dhe Shkencës është duke lobuar që të sigurohet qasje dhe gjithëpërfshirje të fëmijëve me nevoja të veçanta. Ai ka thënë se në bazë të dhënave 50 për qind e shkollave kanë qasje për personat me aftësi të kufizuar.

“Ne jemi duke lobuar, jo vetëm me fonde të MASH-it, por edhe me ndihmën e partnerëve dhe donatorëve të sigurojmë qasje dhe gjithëpërfshirjen e kësaj kategorie të fëmijëve dhe grupeve të margjinalizuara, por edhe fëmijëve me nevoja të veçanta. Sipas të dhënave, 50 për qind e ndërtesave shkollore kanë qasje ekzistuese për personat me aftësi të kufizuar përmes pjerrinave apo rampave në hyrje të objektit që është kusht elementar”, ka thënë Likaj.

Likaj ka thënë se ka ngritur edhe çështjen e mungesës së ashensorit në Fakultetin Ekonomik dhe Juridik, duke bërë kështu që studentët të kenë qasje më të lehtë në ndjekjen e ligjëratave.

“Problem kemi edhe një grup të studentëve të Fakultetit Ekonomik dhe Juridik për shkak të disnivelit. Si të hysh në korridor ka problem për qasje në sallat mësimore. Personat me aftësi të kufizuara e kanë shumë të vështirë të lëvizin deri në sallat e ndryshme për arsye se nuk ka ashensor, të cilën e kemi ngritur si çështje me ushtruesen e detyrës së presidentit dhe kryetaren e kuvendit të Kosovës”, ka thënë Likaj.

Likaj tha se po punohet që këtyre personave t’iu ofrohet gjithëpërfshirje dhe qasje me të lehtë në shkollim./KP/