LVV-LDK pajtohen për 12 ministri: Të hënën përmbyllet marrëveshja për koalicion

E publikuar: 30/11/2019 15:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas takimit mes Albin Kurtit të Vetëvendosjes e Isa Mustafës të LDK-së, kanë lëshuar një njoftim për media.

Thonë se janë harmonizuar 100 për qind për programin qeverisës. Ndër tjera, thonë se janë pajtuar edhe për çështjen e kabinetit qeverisës me 12 ministri.

Sipas tyre, të hënën, më 2 dhjetor, përfundimisht përmbyllet marrëveshja për koalicion.

“Sot në orën 13:00, në Kuvendin e Kosovës, u takuan kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Në këtë takim u përmbyll 100% harmonizimi i programit qeverisës duke u pajtuar për të gjitha çështjet e hapura. Nga dy modalitetet e ndryshme për kabinetin qeverisës me 12 ministri, që i kishin ofruar ekipet punuese të dy subjekteve tona, Kurti dhe Mustafa u përcaktuan për versionin e parë. Në vijim do të përzgjedhen përgjegjësitë në qeverisjen e përbashkët, për çfarë u sqaruan pozicionet dhe kërkesat. Pra, u hap tema dhe u saktësua principi i zgjidhjes, e që përfundimisht do të përmbyllet të hënën me marrëveshje”, thuhet në njoftimin e përbashkët.

14:34
Përfundon takimi mes Kurtit e Mustafës

Ka përfunduar takimi mes kryetarit të LV-së Albin Kurti e atij të LDK-së, Isa Mustafa.

Ndonëse s’kanë dhënë deklarata as pas takimit, ata kanë njoftuar se do të lëshojnë një kumtesë për media për të njoftuar se çka është biseduar mes tyre.