Lutfi Haziri flet se a do të ketë marrëveshje mes LDK’së e VV’së para 6 janarit!

E publikuar: 30/12/2019 23:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në DPT te Fidani ka komentuar caktimin e datës nga kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të shkuar për mandatim te presidenti.

Haziri thotë se Kurti duhet ta sigurojë shumicën për ta marrë mandatin, ndërsa përmend se partia e tij i ka premtuar VV’së që do t’ia votojë një qeveri të pakicës, pa u bërë pjesë e saj.  Ndërkaq nuk tregon nëse LDK’ja do të krijojë marrëveshje me VV’në para 6 janarit.

“Me marrë mandatin, duhet me siguru shumicën. Ai e ka një shumicë të premtuar të LDK’së. Ne jemi marrë vesh se ai që ka një votë më shumë sipas KQZ’së, e ka mandatin për kryeministër. Këtë rast ne e kemi lejuar me kohë”, ka thënë Haziri.

Ai ka folur edhe për tri refuzimet që Kurti ia ka bërë Thacit kur ky e ka ftuar t’ia japë mandatin për ta formuar Qeverinë.

“Raporti i presidentit në dhënien e mandatit është i rregulluar me kushtetutë. Ka pasur zëra që Presidenti nuk dëshiron t’ia japë mandatin Kurtit. Kjo ka rënë në ujë”, ka thënë Haziri në DPT te Fidani.

Sipas Hazirit, Kurti mund të ketë menduar që t’i ikë javës me ditë festa, e të fillojë nga 7 janari të angazhohet për krjimin e Qeverisë.