Lutfi Haziri e ‘arsyeton’ koalicionin me PDK: Në Pejë, rivaliteti është me AAK-në

E publikuar: 19/04/2018 14:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, e ka komentuar vendimin e bashkëpartiakut të tij, Gazmend Muhaxheri për të hyrë në koalicion me PDK-në.

Sipas Hazirit, vendimet e tilla janë janë çështje ekskluzive të kryetarëve dhe kryesive të degëve.

Gjatë ditës së djeshme, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka nënshkruar marrëveshje të koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës.

Ky vendim i LDK-së së Pejës ka shkaktuar jo pak diskutime në opinionin publik.

Mirëpo sipas nënkryetarit të kësaj partie, Lutfi Haziri, vendimet për koalicione lokale janë e drejtë ekskluzive e degëve nëpër komuna.

“Për koalicionet lokale në LDK janë të autorizuar kryetarët e Degëve dhe kryesitë e degëve. Është në kuadër të mandatit dhe të interesit të tyre. Koalicionet lokale nuk diskutohet në kryesi qendrore të partisë, janë e drejtë ekskluzive e degëve dhe kryetarëve”, tha për KALLXO.com nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Sipas tij, ky vendim i Muhaxherit ka ardhur sepse në Pejë rivaliteti gjithmonë ka qenë ndërmjet LDK-së dhe AAK-së dhe jo i PDK-së.

“Unë mendoj që në Pejë është një rivalitet ma i theksuar ndërmjet AAK-së dhe LDK-së dhe jo në mes të LDK-së dhe PDK-së, sepse në qeverisje në Pejë kanë qenë AAK-ja dhe LDK-ja, pra ka të bëjë ma shumë me këtë raport se sa me raportin qendror”, tha tutje Haziri për KALLXO.com

Ditë më parë, Gazmend Muhaxheri kishte deklaruar në media se është i gatshëm të bëhet kryeministër i Kosovës.

Ndërsa dje, si kryetar i degës nënshkroi marrëveshje koalicioni me PDK-në, cila 11 muaj më parë e kishte “shkarkuar” nga pozita e Kryeministrit, kryetarit e Gazmend Muhaxherit, Isa Mustafën.

Në lidhje me pretendimin e Muhaxherit për pozitën e kryeministrit dhe vendimin për koalicion me PDK-në, Haziri beson se ai e ka menduar mirë këtë punë.

“Besoj që Gazi (Gazmend Muhaxheri) e ka mendu vet mirë këtë punë, e ka shoshitur vet para se me dalë publikisht”, tha për KALLXO.com në mes tjerash, Lutfi Haziri që është edhe kryetari i Komunës së Gjilanit.

Ndërsa Muhaxheri nuk ka qenë i qasshëm në telefon për koment.

KALLXO.com ka provuar gjatë tërë ditës që të kontaktojë me deputetët e LDK-së që vijnë nga regjioni i Pejës, Besa Gaxheri, Kujtim Shala e Armend Zemaj, por ata nuk u janë përgjigjur thirrjeve.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj edhe me Xhavit Halitin, kryetarin e degës së PDK-së në Pejë, por s’ka qenë i qasshëm në telefon.

Ditë më parë, Haliti si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës pati një debat të ashpër me deputetin e LDK-së, Anton Qunin për fondet e luftës.

Përfaqësues e zyrtarë të lartë të LDK-së kanë deklaruar disa herë se nuk do të bashkëpunojnë me Partinë Demokratike të Kosovës.

LDK këtë mandat është në opozitë dhe ka grupin më të madh parlamentar prej 27 deputetëve./kallxo.com/