Lushtaku godet Kurtin: S’mund të mbrosh vlerat që nuk i ki as vetë ti

E publikuar: 27/09/2020 21:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti tha sot se vetëm partia e tij do të mund t’i mbrojë veteranët e luftës pasi, sipas tij, PDK nuk po i mbron, ‘sepse e ka hallin e pasurive të veta të paligjshme, ndërsa LDK nuk i mbron pasi asisoj e ka drejtimin politik’.

E kjo ka shkaktuar reagimin e ish-kreut të Skenderajt Sami Lushtaku, sipas të cilit Albin Kurti nuk mund të mbrojë vlera kur as ai vetë nuk i posedon ato vlera.

“Sot, ata që na sulmuan dhe tentuan ta relativizonin e minonin UÇK-në si themel të shtetit të Kosovës, befas po na dalin si mbrojtës, e të tillët janë të njëjtit që sulmuan edhe shtetin e Kosovës, janë të njëjtit që nuk besuan as në liri e as në pavarësi”, ka shkruar ai në Facebook.

Postimi i plotë:

Për ta mbrojtur një vlerë, atë vlerë duhet ta kesh tënden ose së paku të dëshmosh se sadopak e ndjen atë, e kjo i mungon Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Të gjithë ata që prej nga paslufta e deri sot, me akuzat e tyre ia vendosën themelet çdo gjykate që synonte të njolloste UÇK-në, tani përnjëherë po na prezantohen si gardianët e luftës dhe luftëtarëve. „Mbrojtja“ e tyre nuk është asgjë tjetër përveçse një kor kopallash e demagogësh neveritës.

UÇK-ja as nuk ishte dhe as nuk është ekskluzivitet i askujt në veçanti. UÇK-ja është vlerë sublime, simbol i përhershëm, histori e pashlyeshme dhe amanet i të rënëve për liri.

Sot, ata që na sulmuan dhe tentuan ta relativizonin e minonin UÇK-në si themel të shtetit të Kosovës, befas po na dalin si mbrojtës, e të tillët janë të njëjtit që sulmuan edhe shtetin e Kosovës, janë të njëjtit që nuk besuan as në liri e as në pavarësi.

Mençuria pas kuvendit e trimëria pas beteje nuk kanë asnjë vlerë, përveç për demagogët dhe frikacakët. Ne të gjithë duhet ta ruajmë UÇK-në nga pretendimet monstruoze të gjykatave dhe njëkohësisht nga këta “gardianët” që zhurmën e tyre nuk e kanë të sinqertë.

UÇK-ja është e popullit dhe jo e partive politike të cilat mbrojtjen e vlerave të UÇK-së e kanë për konsum e përfitime politike. Të tillët duhet të turpërohen nga UÇK-ja, nga të rënët dhe familjet e dëshmorëve. SL