Lista e Pavarur e Bekim Jasharit akuzon Gani Kocin për kërcënim ndaj asistentit në qendrën e votimit në Polac

E publikuar: 17/10/2021 16:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lista e Pavarur e Bekim Jasharit, ka akuzuar ish-deputetin e PDK-së, Gani Kocin, për kërcënim ndaj asistentit në qendrën e votimit në Polac.

Përmes një komunikate për medie, kjo Listë thotë se në qendrën e votimit në fshatin Polac ka ndodhur një incident mes ish deputetit të PDK-së, Gani Koci, dhe asistentit të qendrës së votimit Veton Koca.

Më tej bëhet e ditur se ish-deputeti i PDK-së është arrestuar nga Policia e Kosovës.“Deri tek incidenti ka ardhur pasi që ish deputeti Koci, ka provokuar dhe ofenduar Mentor Koca duke e quajtur tradhtar që po përkrah familjen Jasharin dhe se sipas tij ai e ka bërë me shtëpi.

Për këtë rast menaxheri i qendrës së votimit ka njoftuar policinë e Kosovës dhe tani njësia FIT ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe i njëjti sipas informacioneve nga menaxheri i qendrës së votimit, Gani Koci është shoqëruar në Polici”, thuhet në komunikatë.

“Vlen të përmendim që raste të tilla të presionit, shantazhit dhe kërcënimit ka pasur dhe gjatë ditës së sotme. Andaj Lista e Pavarur Bekim Jashari bënë apel për oponentët politik që të ndalin tentimet për manipulime, kërcënimet e shantazhet sepse qytetarët tashmë kanë vendosur për kryetarin e tyre i cili do t’i udhëheq në 4 vitet e ardhshme”, thuhet më tej.

Tutje kjo Listë kërkon nga Policia dhe prokuroria që të vazhdojnë të kujdesen për mbarëvajtjen e rregullt të procesit zgjedhor.