“Liria ka emër” në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së po merr përkrahje të madhe

E publikuar: 28/03/2023 12:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të dielën, më 2 prill, në Prishtinë, platforma “Liria ka emër” organizon marsh qytetar dhe solidarizues në mbështetje të luftës së drejtë të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarëve të tyre, raporton Ekonomia Online.

Marshi do të niset nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.

Deri më tani ky marsh ka marrë mbështetje të madhe nga disa parti politike, deputetë, shoqëria civile, shoqata dhe organizata të ndryshme, artistë dhe disa oda ekonomike.

“Marshit për drejtësi” i kanë dhënë përkrahje edhe organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.

Të hënën Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) i ka dhënë përkrahje marshit protestues në mbështetje të luftës së UÇK-së dhe ish-krerëve të saj.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, i ka ftuar të gjitha bizneset t’i bashkohen marshit, teksa ka thënë se ai nuk ka ngjyrë politike, por ngjyrë lirie.

“Ne si Aleancë Kosovare e Biznesit i kemi dhënë mbështetjen tonë marshit të 2 prillit me emrin ‘Liria ka emër’. I ftoj të gjitha bizneset e vendit, të cilat dje ishin pjesë e luftës dhe sot janë pjesë e lirisë, t’i bashkohen kësaj proteste masive, në mënyrë që ta çojmë mesazhin se liria vërtet ka emër. Njerëzit tanë padrejtësisht mbahen në burgje të ndryshme me akuza të pabëra, por drejtësia i qet në shesh të gjitha. Ne mburremi me luftën dhe luftëtarët tanë. Ky marsh nuk ka ngjyrë politike, ka ngjyrë lirie, ngjyrë demokracie, drejtësie”, u shpreh Shahini.

Edhe Lëvizja për Bashkim (LB) i ka dhënë përkrahje marshit “Marshojmë për drejtësi” të organizuar nga platforma “Liria ka emër”.

“Duke qenë se Lëvizja për Bashkim, që nga përpjekjet e para për krijimin e kësaj gjykate, ka qenë kundër dhe e ka parë këtë institucion si përpjekje për ndryshimin e së vërtetës dhe historisë, duke qenë se padrejtësia si ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, ashtu edhe ndaj Kosovës në përgjithësi, është aq e madhe dhe aq e dukshme; duke parë heshtjen e patolerueshme të institucioneve të Kosovës karshi kësaj padrejtësie, Lëvizja për Bashkim e ka parë organizimin e kësaj proteste të nevojshme dhe të domosdoshme. Prandaj Lëvizja për Bashkim do ta mbështesë, do të marrë pjesë dhe i fton të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe të gjithë qytetarët që ti përgjigjen kësaj ftese. Të dalim e të marshojmë të gjithë së bashku!”, është thënë në njoftimin e LB-së.

Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë ditë më parë se kjo parti mbështet marshin për drejtësi të ftuar nga iniciativa “Liria ka emër” në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po mbahen në Hagë.

Këtij marshi i kanë dhënë përkrahje edhe Shoqata e të Burgosurve Politikë dhe Shoqata e Pensionistëve të Kosovës.

Ideatorët e platformës “Liria ka emër, Eliza Hoxha, ka thënë të martën për Ekonomia Online se ish-krerët e UÇK-së nuk janë duke u përballur me procesin gjyqësor për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak se me emrat e tyre lidhet epoka më e ndritur e historisë sonë të re.

Ajo tha se përgatitjet për këtë marsh kanë filluar dhe se ftesa për pjesëmarrje është e hapur për të gjithë.

Sipas saj ky marsh është pa ngjyrime politike, shoqërore apo religjioze dhe se ky do të jetë vetëm një marsh solidarizimi e mbështetje për ata që janë në Hagë dhe se pjesëmarrja e gjithsecilit është e domosdoshme pasi sipas saj vendimet që do të merren në Hagë mund ta prekin edhe të ardhmen e Kosovës.

Hoxha ka thënë se janë duke u marr me përgatitje dhe se i falënderon të gjithë përkrahësit që janë duke mundësuar që ky marsh të jetë me i lehtë për t’u organizuar.

“Përgatitej veç ka nisur, këtë fillim jave jemi duke diskutuar se si ato do të distribuohen në nivel lokal sepse megjithatë ka plotë kategori shoqërore që shprehin dëshirën me ardhë por normalisht nuk kanë mundësi ose financiare ose të transportit me ardhë. Kjo është një pjesë e punës me të cilën është duke punuara një pjesë e ekipit. Në anën tjetër një falënderim special për gjithë përkrahësit qofshin edhe bizneset që në forma të ndryshme, për shembull dikush me ofrimin e shërbimeve të transportit, ose shërbimeve të tjera kanë mundësuar që ky marsh të jetë me i lehtë për tu organizuar”, tha ajo.

Ajo tha se nuk i kanë dërguar ftesa zyrtare partive tjera politike që të marrin pjesë, pasi sipas saj ftesa ka qenë e hapur, por nëse do të duhet ajo tha se do të dërgojnë edhe shkresa zyrtare që ti ftojnë partit politike që të marrin pjesë.

Hoxhaj theksoi se marshi nuk është politik, por është demonstrim i solidarizimi dhe mbështetjes për ata që janë në Hagë, pasi sipas saj vendimet që do të merren atje mund ta prekin edhe të ardhmen e Kosovës dhe të ardhme e atyre që do të lindin në një kohë tjetër.

“E treta që është po aq me rëndësi është që ne ftes zyrtare ose takim zyrtar me partitë politike nuk kemi pasur, ka qenë ftesë e hapur për të gjithë akterët dhe deri tani, është bashkangjitur edhe Partia Lëvizja për Bashkim. Dhe nëse këto ditë nuk ndodh unë besoj që do ta dërgojmë një shkresë formale, me qenë se nuk do të ishte dashur që të presim nga partitë politike, sidomos këto që janë pjesë e pushtetit dhe vendimmarrjes që të jenë pjesë e një marrshi të tillë. Sepse marshi nuk është politik, është demonstrim i solidarizimi dhe mbështetjes për ata që janë në Hagë, atje ku në fund fare nuk diskutohet vetëm e kaluara  por vendimet që do të merren mund ta prekin edhe të ardhmen e Kosovës por edhe atyre që do të lindin në një kohë tjetër”.

“Mendoj pa ngjyrim partie, pa ngjyrim shoqëror dhe pa ngjyrim religjioz nuk ishte dashur që sot me mëndu se a duhet që të jemi pjesë e marshit apo jo. Atë ditë nuk do të demonstrojmë kundër as kujt, atë ditë do të marshojmë për të thirrur për një proces të drejt dhe fer, kjo është ajo ombrella që do të ishte dashur ti për bashkojë të gjithë pa dallim partie, ngjyre përcaktimi, përkatësie ose ideologjie. Kjo është ftesa jonë dhe ftesa është e hapur është publike për të gjithë akterët. Nismës i janë bashkuar tekë platforma “Liria ka Emër” plotë akterë, edhe të skenës kulturore edhe të skenës biznesore edhe të spektrit politik. Nëse është e domosdoshme që të ju dërgojmë një ftesë zyrtare edhe partive të tjera edhe atë besoj që do ta bëjmë”, tha ajo.

Ajo tha se me këtë marsh nuk e kanë për qellim që të ndikojnë në proces por që me këtë do të tregojnë një dashamirësi dhe një mbështetje morale për krerët që janë duke u gjykuar në Hagë.

“Unë nuk jam dikush që mund të kalkuloj, sepse ndonjëherë përkrahja që e marrim në media ose në media sociale mundet mos me u përputh më prezencën fizike, por që unë e shohë si një moment kyç atë ditë ne nuk do të mund as ta ndikojmë procesin, as nuk dëshirojmë që ta ndikojmë procesin, atë ditë mundemi vetëm me tregu një dashamirësi dhe një mbështetje morale për ata që janë atje që nuk i ka harruar Kosova, që Kosova i mbështet në krejt sfidën që po i kalojnë dhe nëse koritemi, koritemi ne me vetën dhe koritemi me Kosovën edhe me ata atje”, tha ajo për EO.

Marshi do të mbahet të dielën, më 2 prill, në Prishtinë në ora 14:00 . Marshi do të nisë nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.