Limaj: Themelimi i qeverisë çështje e brendshme, diplomatët e huaj s’duhet të ndërhyjnë

E publikuar: 30/01/2020 14:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, sot ka takuar liderët e partive politike në vend. Në këtë takim, pjesëmarrës ishin kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ai i VV-së, Albin Kurti, anëtari i kryesisë së AAK-së, Besnik Tahiri, kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj dhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Pas takimit me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se me Borellin kanë biseduar për dialogun me Serbinë, ku edhe i kanë bërë të qarta qëndrimet për temat që e presin Kosovën.

Limaj tha se nuk mund të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse pasi që krerët e institucioneve të Serbisë vazhdojnë të mohojnë krimet dhe gjenocidin e bërë në Kosovë.

“Qëndrimi ynë për dialogun është që të jetë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe që Kosova të jetë pjesë e mekanizmave ndërkombëtar përfshirë edhe pjesë e OKB-së. Iniciativat rajonale janë të dështuara sepse janë dy shtete që nuk e njohin njëra-tjetrën. Nuk mund të të vihet te një marrëveshje gjithëpërfshirëse deri sa kreu i shtetit të mohon krimet që i ka bërë në Kosovë. Duam qëndrim të qartë ë BE-së ndaj krerëve shtetërorë serbë të cilët mohojnë krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë”, tha ai.

Limaj tha se diplomatët e akredituar në Kosovë, por edhe vet Borrelli deklaroi se nuk interferojnë në negociatata për themelimin e qeverisë.

“Diplomatët duhet t’i ushtrojnë kompetencat e tyre dhe çështja e qeverisë nuk është e tyre dhe nuk mund të ndërhyjnë. Çështja e qeverisë është ekskluzive çështje e brendshme e partive tona”, tha ai.

Po ashtu sipas Limajt, në këtë takim u shkëmbyen mendime, ndërkaq sipas tij, veprimi urgjent që duhet të ndodhë është liberalizimi i vizave për Kosovën.

“Kemi pasur një takim me Borrell. Shkëmbyem mendime. Prioritetet i ka treguar ai edhe më herët. Ne kemi thënë që BE nga fjalët të kalojë në vepra. Veprimi urgjent që duhet të ndodhë, është liberalizimi. Ne jemi të frustruar me shtetet e BE-së. Presim hap konkret nga BE”, ka thënë Limaj.